E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edvini bën ftesë për debat, që nga bunkeri

02-10-2011 / Gazeta 55

Sërish nga jashtë Shqipërisë, ku ndodhet për rehabilitim, Edvini kërren absurdin e radhës, duke ftuar për debat publik, lidhur me 10 parakushtet e tij. Politikani që asnjëherë s’ka bërë ndonjë përballje me gazetarë, por veç komunikime gazetareske me pagatorët e tij, mundohet të deklarojë se e do integrimin e vendit, paçka se tezat e bunkerit, s’e lënë t’i sjellë në parlament, votat që populli i dha, që Shqipëria të jetë si e gjithë Europa

Editoriali i djeshëm i Edi Ramës, i kërryer që nga jashtë shtetit, me ftesën për debat publik lidhur me Pakt-Dekalogun e tij, përbënte një kulm absurdi të paarritur deri më tani në politikën shqiptare të pas viteve ‘90. Replika e tij në distancë me kreun e qeverisë, shastisi të madh e të vogël, pasi “trimëria” e Edi Ramës shkonte përtej imagjinatës njerëzore. Dukshëm i ndjerë në hall dhe i frikësuar nga përgjegjësitë që merr ai dhe Partia Socialiste në rast të një vlerësimi negativ nga Brukseli, të progres-raportit të Shqipërisë për vitin 2011, kryesocialisti Edi Rama, për herë të parë në jetën e tij politike, i bën thirrje kundërshtarit politik ta sfidojë në një debat të hapur televiziv. E pa dëgjuar më parë, për faktin e vetëm se përballja e hapur dhe publike me kundërshtarin politik ka qenë një nga fobitë disa vjeçare të Ramës, ose më saktë në gjithë karrierën e tij prej ‘politikani’, ka refuzuar të ulet në një panel me rivalin, apo më keq akoma të merrte pjesë në diskutimin e alternativave dhe politikave efikase në dobi të komunitetit të gjerë dhe qytetarëve. Kundërshtari i tij i përjetshëm politike, kryeministri Sali Berisha, e ka ftuar Ramën në 3 palë zgjedhjesh parlamentare dhe lokale që ai të ulet në një debat të drejtpërdrejtë televiziv, në sytë e të gjithë shqiptarëve, për të prezantuar secili platformën e vet politiko-elektorale. Por, Edi Rama pranonte me inferioritet se nuk i reziston debatit të drejtpërdrejtë dhe po të mendosh se përballë do të kishte rivalin historik. Kjo ia shtonte dhe më shumë frikën, pasi dukshëm dhe kuptueshëm, në një debat të drejtpërdrejtë të transmetuar nga një platformë e shtrirë në gjithë territorin, apo edhe nga Televizioni Publik Shqiptar, njëri apo tjetri nga debutuesit do dilte i humbur nga debati. Këtë nuk do ta mësonte vetëm audienca e platformës apo televizionit, por e gjithë Shqipëria dhe impakti i saj ndjeshëm do ndikonte në rezultatin elektoral. Deri këtu, Edi Rama merr meritat e të “zgjuarit”, pasi ka arritur të neutralizojë pensionin e parakohshëm politik, edhe pse e ka shtyrë atë njësoj si kura e mjekut tek një i paralizuar. Me afrimin e sfidave të vërteta politiko-ekonomike dhe ato të integrimit evropian, Partia Socialiste është e vetmja strukturë elektorale në vend që mendon dhe prodhon në mënyrë të verbër kundër aspiratës evropiane të vendit. Edhe nëse ftesa publike e Edi Ramës për debat publik me kryeministrin Sali Berisha, është e vërtetë dhe shkon përtej palo-bisedave të tij me gazetarë dhe analistë pagatorë, pikëpyetje të mëdha lidhen me mënyrën e propozimit. Përsa kohë Edi Rama i drejtohet Berishës me një editorial për mediat e shkruara (edhe pse kuptohet që ai sa herë shkruan editoriale, nuk ndodhet në Shqipëri), nesër ose pasnesër kur ai t’i bëjë bisht kërkesës së tij, mund të “fshihet” dhe maskohet pa më të voglin dyshim, nisur nga mungesa e mundësive fizike (kronika) të mediave vizive, për propozimin në fjalë. Dilemat janë të ndryshme duke filluar nga ato se “ky që ka shkruar editorialin nuk është Edi Rama..., Edi Rama ka ndryshuar..., e deri te situata në të cilën ai ka qenë kur ka shkruar artikullin në fjalë. Pasi, më herët për kryeministrin Berisha dhe mazhorancën parlamentare janë adresuar 10 pika, kushte këto, për dhënien e votës për ligjet me shumicë të cilësuar, edhe pse destinimi i tyre është që të mos merren parasysh nga asnjë instancë politike e mazhorancës. Edhe propozimi tjetër, ai i debatit publik me kryeministrin, duket të marrë të njëjtin “vlerësim”, por këtë radhë nga vetë Edi Rama, pasi me siguri pas pak ditësh do të thotë se nuk e kishte seriozisht! Ai vazhdon të ketë frikë nga debati i drejtpërdrejtë me kundërshtarin e tij politik!

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›