E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kur shkenca e Historisë tradhtohet nga Historianët

Rudolf Marku

1.

Debati për historinë është ndër debatet më të mëdha në mendimin intelektual jo vetëm të ditëve të sotëm. Dhe kjo është e kuptueshme, sa kohë që njerëzimi ka pasur dhe do të ketë një kureshtje dhe shtysë të papërballueshme për të njohur të kaluarën e vet. Në këtë tërheqje të natyrshme drejt historisë dhe në këtë hapësirë kaq të madhe (hapësira kohore), historiografia paraqitet shkenca me diversitetin më të madh nga të gjitha shkencat e tjera. Herodoti është i pari që përdor termin Historia (kërkim, hetim, gërmim) për atë shkencë që sot e quajmë Histori. Një histori është për Homerin ai që jep një gjykim të bazuar në fakte si rezultat i një investigimi. Siç shihet, lidhja mes historisë dhe investigimin, zhbirilimin e fakteve e të evidencave na dalka që të jetë fort e vjetër. Kësisoj del se Historia asht një varg i pafundmë marrjesh dhe dhëniesh, kërkimesh dhe hulumtimesh, dokumentesh dhe faktesh. Në shkrimin e Historisë nuk ka Rembrandts,nuk ka Shakespeares dhe nuk ka Beethoven – autorë që krijojnë vepra të cilat as ata vetë, autorët, nuk mund ti rikrijojnë më me pas. Historianët bien dakord a nuk bien dakord me njëri-tjetrin, grinden, kundërshtojnë njëri-tjetrin, kundërshtojnë vetveten, ndryshojnë dhe ripërcaktojnë pamjet e veta. Vepra e historianit asht në rishikim të vazhdueshëm, ajo modifikohet, përmirësohet, rishkruhet. Ne nuk do të guxonim që të ripikturonim pikturat e Rembrandtit apo ta rishkruanim muzikën e Beethoven-it. Por, nga ana tjetër, Historia shkruhet dhe rishkruhet. Vetëm një mendje e një ndryshkeshe kokëfortë do të kishte guximin për të mos pranuar rishikimin dhe rishkrimin e historisë.

Me të gjithë diversitetin e shkencës së Historiografisë, me gjithë mospajtimet se si duhet shkruar historia, me gjithë shkollat e pafundme që kundërshtojnë në mënyrën më autoritare njëra-tjetrën, historianët gjithmonë kane qene dhe vazhdojnë të jenë të një mendjeje se historia duhur shkruar, rishkruar, madje të ri-rishkruhet ajo që është rishkruar.

Pikërisht nga këto shtresa të pafundme të shkrimit të historisë sot ekziston ajo që quhet Historia e Historive, një narracion i vetëm historik që përmbledh historinë e historive (shih p.sh., A history of Histories, John Burrow, Penguin Books 2007).

Në këto kushte duket normale kur dy historianë te viseve tona, Luan Malltezi dhe Ferid Duka deklarohen për rishkrimin e historisë. I pari, Luan Malltezi, është njëkohësisht dhe Drejtor i Muzeut Kombëtar. Për këtë arsye vëmendja ime do ti përkushtohet më tepër atij, sepse, si të thuash, duke qene Drejtor i atij institucioni kombëtar që kujdeset për ruajtjen e kujtesës kolektive të shqiptarëve, ai është një zë më zyrtar nga të tjerët.

Deklaratën për rishkrimin e historisë ai e artikulon në një shkrim te botuar jo shumë kohë më parë. Megjithëse teza e rishkrimit te historisë nuk ka nevoje për asnjë argumentim, Malltezi sjell arsyet e tij perse Historia duhet rishkruhet. Dhe pikërisht këtu fillojnë dhe problemet e tij. Dhe problemet i ithtarëve të tij që nuk janë të paktë. Sepse problemi nuk është nëse duhet a nuk duhet rishkruar Historia, por çfarë kuptojnë ata me rishkrim të Historisë.

2.

Historia që duhet rishkruar, sipas Malltezit, është historia e marrëdhënieve të Perandorisë turke me shqiptarët (ata që ca të tjerë preferojnë ti quajnë arbëreshët e djeshëm dhe shqiptarët e mëvonshëm). Kështu që argumentimi teorik i rishkrimit të historisë reduktohet që në fillim në rishikimin e historisë së Shqipërisë nën Perandorinë Osmane, – siç shkruan Malltezi. Por ky parcelizim i vetëm asaj pjesë të historisë nga e gjithë Historia e shqiptarëve nuk e pengon Malltezin që të vazhdojë të përdorë termin përgjithësues Histori (historia shqiptare është e politizuar së tepërmi ndaj edhe ka vend për rishikim). Në mbështetje të argumentit të vet perse historia nuk duhet të jetë e politizuar, e kësisoj përse ajo duhet rishkruhet, ai thotë (sepse). Ministrat turq kanë lexuar tekstet e botuara ndërkohë dhe kanë bërë vërejte më vend, ata mendojnë se këto mund të shkruhen më mirë; midis popujve ka pasur bashkëpunim, dhe lidhje ekonomike tregtare. Kërkesa e tyre sigurisht është politike, por është e drejtë, ata janë ministra, përpiqen të forcojnë marrëdhëniet e Turqisë me Kosovën dhe Shqipërinë.

Siç shihet, argumentit kundër politizimit të historisë shqiptare i kundërvihet një argument politik, aq politik, sa justifikim logjik i tij këtë radhë janë ministrat turq. Qëllimi po ashtu është politik: Të forcojë marrëdhëniet e Turqisë me Kosovën dhe Shqipërinë. As argumenti i parë dhe as a i dyti, me gjithë dëshirën e mirë të Malltezit, nuk janë të natyrës së shkencës së Historisë. Argument tjetër në mbështetje të tezës së rishkrimit e të rishikimit të historisë nën Perandorinë Osmane, është dhe se Kërkesa për të të rishkruar historinë ka ardhur më parë dhe nga Këshilli i Europës, Bashkimi Europian. Pse? Sepse jemi në kuadër të Bashkimit Europian. Popujt duhet të kenë besim midis tyre, duhet të njohim më mirë njëri-tjetrin, të konstatojnë lidhje dhe miqësi midis tyre.

Prapë një antiargument vënë me krye poshtë: historia duhet të rishkruhet ngase ka qenë e politizuar gjë që nënkupton që tani e prapa nuk duhet të politizohet. Por kjo nuk e pengon Drejtorin e Muzeut Kombëtar që të sjellë prapë e prapë arsye politike.

Me një dinakëri të dukshme, ngase argumentet e tij nuk kanë të bëjnë asgjë me shkencës e Historisë, ai lë të nënkuptojë se ata që nuk duan që historia të rishkruhet ( nënkupto: Historia nën Perandorinë Osmane,,) janë të trembur, janë me mendësi komuniste, janë kundër Këshillit të Europës dhe kundër Bashkimit Europian. Çuditem se si ka harruar të shtojë se janë kundër SHBA.

Sipas drejtorit të Muzeut Kombëtar: shqiptarë të shumtë kaluan me kohë në besimin e osman me qëllim që të ishin të lirë të bënin karrierë ushtarake. Gjenerali Ballaban Pasha që luftoi më Skënderbeun ishte një shqiptar i talentuar ushtarak i kohës. Gjer më sot shqiptarët i kanë dhënë 23 kryeministra (sadrazemë) Perandorisë Osmanë pa numëruar këtu njerëz të tjerë të mëdhenj të administratës së lartë që ishin të shumtë Perandorisë. Në kohën kur Perandoria ra dhe i ishte afruar greminës një dorë shqiptare si Mehmet Pashë Qypriliu nga fshatrat e Beratit e ngriti dhe i dha jep një fuqi të re. I biri i Mehmet Pashës, Fazil Pasha i shpuri ushtritë e perandorisë deri në Austri dhe Rusi, një shqiptar tjetër Sinan Pashai shpuri armët e perandorisë osmane në Jemen dhe në shkretëtirën e Arabisë Në kohën kur Perandoria ra dhe i ishte afruar greminës një dorë shqiptare si Mehmet Pashë Qypriliu nga fshatrat e Beratit e ngriti dhe i dha jep një fuqi të re. I biri i Mehmet Pashës, Fazil Pasha i shpuri ushtritë e perandorisë deri në Austri dhe Rusi, një shqiptar tjetër Sinan Pashai shpuri armët e perandorisë osmane në Jemen dhe në shkretëtirën e Arabisë.

Këtu çdo njeri me mendje të kthjelltë duhet të ndalet e të pyes: Ballaban Pasha me të vërtetë mund të ketë qenë një gjeni ushtarak i kohës – i talentuar – thotë Malltezi ( do të isha kurioz të dija burimin historik të këtij epiteti për Pashain që luftoi kundër vendit të vet, veç ndonjë defteri turk që nuk ka se si të merret si dokument i besueshëm kur lavdëron një gjeneral të ushtrisë së Sulltanit), por a e shpëton atë gjenia e tij ushtarake për të mos qenë një renegat që luftoi kundër vendit të vet? Nuk jam i sigurt për ministrat turq, por jam i sigurt se Këshilli i Europës, Bashkimi Europian, që i përmend Malltezi në mbështetje të tezës se tij, nuk do ta pranonin si një ri-shkrim të Historisë se Kuislingu qe një Kryeministër i talentuar norvegjez e se Qeveria e Vishisë kishte ministra të talentuar e të virtytshëm! Është e çuditshme kur lexon pohime të tilla të artikuluara jo në klubin e Mamurrasit, por në sallen e Muzeut Kombëtar, madje në zyrën e Drejtorit të saj. Nuk do të çuditeshim se, si pjesë e rishkrimit te historisë, me ketë mendësi të Drejtorit Malltezi, ndonjë ditë mund të shohim një portret të Ballaban Pashës në sallat e Muzeut Kombëtar me dixh

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›