20 vjet marrëdhënie diplomatike dhe 89 vjet miqësi SHBA-Shqipëri. Rihapja e ambasadës amerikane më 2 tetor ’91, ngjarje me rëndësi kombëtare

Arvizu: Mirënjohje për shqiptarët, pranuan vlerat amerikane në Shqipëri. Basha: Mirënjohje SHBA-së për Shqipërinë në NATO dhe Pavarësinë e Kosovës
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kremton sot 20 vjetorin e rihapjes së saj në Tiranë. Me këtë rast ambasada amerikane ka nisur festimet në rrugën “Murat Toptani”, festime këto që do të zgjasin për disa orë, ku do të ketë disa aktivitete. Në fjalën e tij në çelje të këtyre festimeve, ambasadori i SHBA-së në Tiranë Aleksandër Arvizu ka falenderuar të gjithë shqiptarët të cilët gjatë këtyre 20 viteve i kanë konsideruar amerikanët si miqtë e tyre. “20 vite më parë u shënua një risi për këtë vend. 20 vite më parë u shënua një nisje të re për SHBA-të në Tiranë. Në këto 20 vite na keni sjellë në zemra, në shtëpi, në zyra dhe na keni lejuar që të behemi pjesë e arrijeve tuaja të mrekullueshme të këtyre 20 viteve. Na keni lejuar që të behemi pjesë e juaja, të së shkuarës, të tashmes dhe të ardhmes, ndërsa ju punoni për të krijuar një të ardhme më të mirë për Shqipërinë”- u shpreh ambasadori Arvizu.
Pasi falenderoi bashkinë e Tiranës dhe policinë e shtetit për bashkëpunimin, ambasadori Arvizu ftoi qytetarët të bëhen pjesë e këtyre festimeve në panairin amerikan në Tiranë dhe të dëfrehen me minikopshtin zoologjik, lodrat për fëmijë e të rritur dhe bandën shqiptare e një amerikane që do performojnë me rastin e këtij përvjetori të vecantë të marrdhënieve Shqipëri-SHBA.
Nga ana e tij, kryetari i bashkisë së Tiranës Lulzim Basha theksoi se për qytetarët e Tiranës dhe për shqiptarët anembanë rihapja 20 vite më parë e ambasadës amerikane përbën një ngjarje të madhe me rëndësi kombëtare. “Kremtimi sot i marrëdhënieve diplomatike mes SHBA-së dhe Shqipërisë ka një domethënie të madhe pasi 20 vite më parë mbi 300 mijë shqiptarë u derdhën rrugëve të Tiranës për dëgjuar mesazhin e ish-Sekretarit amerikan të Shtetit, James A. Beker që liria jep rezultat. Ky mesazh nuk erdhi për surprizë sepse për ne Amerika do të mbetet më shumë se një komb, është një ide e madhe”- ka theksuar Basha. “Ideja e madhe është se liria është e mundur dhe se njërëzit janë krijuar për të qënë të lirë se vetëm në liri njeriu mund të realizojë potencialin e tij të plotë. Ideja është se demokracia jep rezultat dhe zëri i qytetarëve duhet të jetë pjesë e qeverisjes”- ka theksuar kryebashkiaku.
Sipas Bashës, shqiptarët kanë shumë arsye për t’i shprehur mirënjohjen SHBA-së dhe kjo për pavarësinë e Kosovës, dhe për mbështetjen e fuqishme që ajo ka bërë për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. “Miqësia me SHBA-në na bën krenar. Ne nuk mund të kërkonin një mik më të mirë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe unë në cilësinë e kryetarit të bashkisë së Tiranës do të bëjë gjithçka që kjo miqësi të rritet dhe të konsolidohet”- ka shtuar Basha.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë rivendosur marrëdhëniet diplomatike me Shqipërinë në mars të 1991, ndërsa ambasada ka nisur punën në 2 tetor.
89 vjet miqësi SHBA-Shqipëri
Marrëdhëniet dipllomatike mes Shqipërisë dhe Amerikës e kanë pikënisjen më 28 korrik të vitit 1922, kur ende shteti shqiptar sapo kishte rikonfirmuar pavarësinë.
Vendimi për lidhjen e marrëdhënieve diplomatike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka ardhur natyrshëm pas vetos që presidenti amerikan Thomas Woodrow Wilson vuri në konferencën e Paqes në Paris duke i rikthyer pavarësinë Shqipërisë.
Presidenti pasardhës i Wilson-it, Warren Harding, emëroi si ambasador të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Ulysses Grant Smith, i cili e nisi misionin dipllomatik më 4 Dhjetor 1922.
Një diplomat që jo thjesht vuri gurin e parë kilometrik në një rrugë të gjatë të marrëdhënieve, por që ishte njëkohësisht i pari që ndriçoi shtetin amerikan se çfarë ishte Shqipëria, çfarë ishin shqiptarët dhe si mund ta ndihmonte Amerika Shqipërinë.
“Ky vend është shumë i varfër, njerëzit në përgjithësi janë të pashkolluar dhe të paushqyer, por çuditërisht përpara meje ndodhet kryeministri Fan Noli, i cili flet një anglishte harvardiane shumë më të mirë nga mua. Dhe unë ndjehem keq përpara tij”- shkruan Smith në kujtimet për punën si ambasador në vendin tonë.
Deri në vitin 1939 Shqipëria ishte thjesht një komb i preferuar për SHBA-në aq sa dhjetra amerikanë vërshuan në vendin tonë jo vetëm si diplomatë, por edhe si biznesmenë, themelues shkollash e deri në investitorë ekspeditash për të zbuluar pasuritë e nëntokës sonë.
Kjo do të vazhdonte deri në vitin 1939 kur Shqipëria e humbi pavarësinë e saj pas pushtimit të vendit nga Italia dhe largimit të Zogut nga vendi.
Ambasadori amerikan në atë kohë në Tiranë, Hugh Grant, i ofroi tre pasaporta amerikane Zogut: një për vete, një për mbretëreshën Geraldinë dhe një për Lekën e sapolindur, të cilat u refuzuan nga ai.
Ambasada amerikane në Tiranë u mbyll zyrtarisht në 16 shtator 1939, ndërsa diplomati Grant u largua më 27 Shtator.
Me ardhjen e komunistëve në pushtet, për 52 vjet asnjë diplomat amerikan dhe shqiptar nuk vuri këmbë në Shqipëri dhe në SHBA.
Sistemi i Enver Hoxhës e shpalli Amerikën armikun numër një të popullit shqiptar dhe shtetin amerikan e cilësoi si xhandarin e botës.
Më 15 mars të vitit 1991 këto marrëdhënie u rithyen. William Rajerson do të bëhej ambasadori i parë amerikan pas rivendosjes së këtyre marrëdhënieve.
Vetëm 3 muaj pasi ishte rihapur ambasada më 21 qershor 1991 sekretari amerikan i shtetit James Baker do të vizitonte Tiranën. Me mijëra shqiptarë mbushën sheshin Skëndërbej duke i rezervuar një pritje madhështore, e ngulitur në memorien e të gjithëve.
Marrëdhëniet shqiptaro-amerikane do ta shënonin kulmin e tyre me vizitën historike të Presidentit George W Bush më 10 Qershor 2007, e para e një presidenti amerikan në Shqipëri. Pamjet e qytetarëve të Fushë-Krujës duke u shtyrë për të përqafuar presidentin Bush, i cili përballë entuziazmit të qytetarëve theu rregullat e sigurisë, do të ktheheshin në lajmin kryesor të televizioneve amerikane.
Sot, kur festohet 20 vjetori i rivendosjes së marrëdhënieve dipllomatike Shqipëri-SHBA, marrëdhëniet me SHBA janë më të mirat e mundshme që Shqipëria ka me një shtet, por nga ana tjetër janë këto marrëdhënie që i kanë dhënë një dimension tjetër kombit shqiptar në botë.
Dipllomati Roland Bimo ishte ambasadori i parë shqiptar në SHBA pas rivendosjes së marrëdhënieve thotë që janë një sërë aryest për nivelin e tyre.
“Unë kam patur fatin dhe nderin që të shërbej si ambasadori i parë shqiptar në SHBA pas rivendosjes së marrëdhënieve dipllomatike. Janë marrëdhënie të bazuara në vlera të përbashkëta, në avancimin e demokracisë dhe histori”- shprehet Bimo.
Ndihma në demokratizimin e vendit tonë, por edhe zgjidhja e çështjes së Kosovës i dedikohen më së shumti politikës amerikane dhe natyrisht marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë.
Një politikë dhe një marrëdhënie që në 22 shtator 2011 mbushi 89 vjet. Mes Shqipërisë dhe SHBA në momentin dhe në rastin më të keq, ne shqiptarët i quanim amerikanët armiqtë numër një në botë dhe në më të mirin, jemi cilësuar si populli më proamerikan në botë.