Pasojat ekonomike të luftës në Shqipëri, BERZH rishikon me ulje ecurinë

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka rishikuar me ulje pritshmërinë për rritjen ekonomike të Shqipërisë për këtë vit, për shkak të ndikimit që do të japë në prodhimin tonë kombëtar konflikti Rusi – Ukrainë.
Në vlerësimet e BERZH, rritja ekonomike për 2022 do të jetë 3.3%, duke u ulur me 0.4 pikë përqindje, në krahasim me projeksionin e fundvitit të kaluar.
Sipas raportit të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor do të ndikohen negativisht nga çmimet e larta të naftës dhe gazit. Por Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë më të ekspozuara se ekonomitë e tjera ndaj çmimeve të energjisë elektrike pasi importojnë më shumë se sa eksportojnë.
BERZH është institucioni i parë që rishikon me ulje rritjen ekonomike të vendit, duke sinjalizuar qartë se pasojat e krizës globale nga lufta do të ndihen gjatë në vendin tonë.
/rtsh/