Pastore, zyrtarisht në PSG

Javier Pastore e ka mbyllur eksperiencën në Palermo. Mesfushori argjentinas është shitur në Paris Saint-Germain për 43 milionë euro, i cili do ta paguajë këtë shumë për tri vjet.
Marrëveshja është arritur të premten mbrëma. Lajmin e ka bërë të ditur presidenti i klubit sicilian, Maurizio Zamparini.
“E arritëm marrëveshjen të premten mbrëma. Pastore do të shkojë në PSG për 43 milionë euro. Shumë shpejt do të zyrtarizohet edhe nga PSG ky transferim. “Unë e këshillova atë të shkojë në Paris, sepse është qyteti më i bukur në botë. Mendoj se PSG do të jetë njëri prej klubeve më të mira në botë, me Leonardon dhe Princin e Katarit”, tha Zamparini.
Mesfushori ofanziv pritet të arrijë në Paris të hënën, për ta nënshkruar kontratën pesëvjeçare. Ai do të paguhet katër milionë euro në sezon. Kështu, klubi nga kryeqyteti francez, i cili ka rënë në dorë të kompanisë arabe ‘Qatar Sports Investments’, e transferoi edhe një lojtar të madh, pas Sissokos, Menezit, Matuidi, Gameiro e portierit Sirigu.
Për 22 vjeçarin, interesim kishin shfaqur edhe Chelsea e Milani, por klubi francez u tregua më i shkathtë. Pastore zhvilloi 35 ndeshje me Palermon në Serie A sezonin që shkoi, duke realizuar 11 gola.