E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të vërteta, apo të huazuara?

Janë bërë mitike këmbët e Julia Roberts te “Pretty Woman”, meshkujt kanë rënë përmbys pas tyre, por në fakt… nuk janë të vërteta. As të Sharon Stone e as të Natalie Portman. Pas aktorëve qëndron një ushtri e tërë dublantësh apo kundërfigurash. Ndodh që ata dalin nga anonimati, si në rastin e “Mjellmës së zezë”. Nga Express më 29 korrik 2011 në ora 18:36

Në 99% të filmave, aktorët kryesorë sillen si hajdutë. Sigurisht në mes ka kontrata, autorizime dhe paga, megjithatë… një lloj gënjeshtre ka në këtë mes. Ka “hajdutë” bukurie: si Julia Roberts te “Pretty Woman”. Këmbët e bukura kilometrike në posterin mitik nuk janë të aktores, por i përkasin modeles Donna Scogging. Ka “hajdutë” rinie si Sharon Stone, që për të xhiruar pjesët nudo te “Basic Istinct 2” ka “huazuar” trupin e një kolegeje shumë vite më të re se ajo.

Por ka edhe “hajdutë” zotësie, si Tim Roth, që në filmin “Legjenda e pianistit mbi oqean” huazon duart e një pianisti profesionist. Për të mos folur për “hajdutët” e guximit në filmat me aksion. Madje edhe mitiku Bruce Lee kishte një dublant zyrtar, që quhej Yuen Hwa, i cili ka realizuar shumë figura të rrezikshme.

Në shumicën e herës, “dublantët” i ofrojnë trupat dhe aftësitë e tyre në mënyrë të heshtur. Është një ushtri e tërë anonimësh. Por, ka raste kur aktorët-diva i marrin të gjitha meritat për vete dhe kundërfigurat nuk rrinë dot në heshtje. Rasti më i fundit që po bën jo pak bujë është ai i Natalie Portman, e cila mori çmimin “Oskar”, si aktorja më e mirë për interpretimin në “Mjellmës së zezë”. Gjatë gjithë kohës ajo dhe i fejuari i saj, koreografi Benjamin Millepied, janë shprehur se 85% e pjesëve të baletit janë realizuar nga aktorja. Por kundërfigura e saj, balerina e New York City Ballet, Sarah Lane, ka dalë hapur duke thënë të kundërtën. Sipas saj, Natalie ka realizuar vetëm 5% të atyre skenave. “Duke vepruar kështu, ka zvogëluar punën tonë duke krijuar idenë që një rezultat i tillë mund të arrihet në një vit e gjysmë. Unë kam 22 vjet që stërvitem”.

Lane ka denoncuar edhe producentin Ari Handel, i cili e kishte këshilluar që të heshtte. Por, jo të gjithë aktorët i mohojnë dublantët e tyre. Është rasti i dy protagonistëve të sagës “Twilight”, Robert Pattinson e Kristen Stewart, të cilët jo vetëm e pranojnë që në skenat e luftimeve pjesët e tyre janë interpretuar nga kundërfigura, por ngulin këmbë që këto personazhe të dalin nga anonimati. Ata quhen Paul Darnell dhe Roberta Thaise.

Megjithatë, daljet publike mbeten një rast i izoluar, aq më tepër kur në lojë janë trupat e yjeve, thuajse gjithnjë femra. Përveç “Pretty Woman” (jo vetëm në poster, por edhe në shumë momente të tjera të filmit) te “Basic Instinct 2”, zëvendësueset në skenat e zhveshura janë të shumta dhe thuajse kurrë të pranuara. Por, në disa raste është e detyrueshme, si ai i 14-vjeçares Brooke Shields te “Laguna Blu”, e cila kishte një zëvendësuese në moshë madhore. Shumë situata të tjera janë të dyshimta. Qarkullojnë dyshime mbi autenticitetin e Angelina Jolie te “Wanted”, për Keira Knightley, për skenat e saj nudo te “Espiazione” dhe zëvendësimin e këmbëve të saj jo fort të bukura në sagën “Piratët e Karaibeve”. Duke qëndruar te ky i fundit, në episodin e fundit thuhet se disa skena të Penelope Cruz i ka zëvendësuar e motra, Monica. Një rast i ngjashëm është tek “Forrest Gump”, ku Tom Hanks ka si zëvendësues të vëllain, Jim.

Nuk është thjesht çështje fiziku, por edhe aftësish, si kërcimi, sporti, piktura, instrumenti. Rastet kur aktori i ka bërë të gjitha vetë janë të rralla, si Sylvester Stallone te “Rocky”, apo Salma Hayek, e cila pikturon vetë kur luan rolin e Frida Kahlos.

“Nuk doja të përdorja një kundërfigurë, ndaj edhe vendosa para kavaletat me penela, ngjyra dhe mbeta e çuditur nga rezultati. Mendoj se jam pushtuar nga Frida”, është shprehur Salma.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›