Shkallë e lartë e vetëvrasjeve mes indianëve të Amerikës
Në Shtetet e Bashkuara, sipas statistikave zyrtare, indianët e Amerikës vdesin 70 për qind më shpesh nga akte vetëvrasjeje, se sa pjesa tjetër e popullsisë.
Shkalla e lartë e vetëvrasjeve është quajtur "epidemi e heshtur", por ajo nuk është më e heshtur falë një konference të organizuar në Portland të shtetit Oregon, e cila nëpërmjet videove të prodhuara nga adoleshentët, si dhe muzika e tyre madje edhe librat komikë, mund të shpëtojë jetën e njerëzve.
Sipas Departamentit amerikan të Shëndetit dhe Shërbimeve Humane, gati 25 për qind e të rinjve indianë të Amerikës kanë tentuar të vrasin veten.
17 vjeçari Brendon Trejo, i cili jeton në në një rezervat në shtetin lindor të Washingtonit, njeh dikë që fshihet pas këtyre statistikave.
"Një prej shokëve të mi, u përpoq t’i jepte fund jetës. Ai nuk pati sukses dhe përfundoi në spital", rrëfen ai.
Brendon u trondit dhe ende nuk e ka kuptuar se pse e bëri këtë shoku i tij.
Anëtarja e fisit indian në Oregon, Sarah Holl ka ndjerë të njëjtën tronditje, jo vetëm një herë, por shumë herë. 16 vjeçarja shkon në një shkollë afër rezervatit.
Sarah ka gjetur pasionin e saj, muzikën.
Ajo thotë se nuk fle gjatë natës dhe përpiqet të gjejë fjalët e përshtatshme për një këngë me temë të pazakontë: parandalimi i vetëvrasjes.