E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pastrim dhe zbulim

120 vjet art i pikturës dhe skulpturës në Shqipëri, Galeria Kombëtare nxjerr prej fondit 184 vepra. Fare pak skulpturë, disa dhjetëra vepra të panjohura, kurrë të ekspozuara ose që paraqiten 40 vjet pas krijimit dhe autorë të talentuar që u është varrosur emri. Krijohet më në fund një linjë e mirë muzeore, ngushtohet hapësira për zhvillimet alternative të arteve pamore


Galeria Kombëtare e Arteve mw nw fund prezanton linjwn muzeore. Wshtw ashtu siç ka thënë deri tani drejtori Rubens Shima: "Hera e parë, pas ndryshimit politik të vitit 1991 që marrim përsipër të ekspozojmë një linjë historike të artit shqiptar, që përfshin një periudhë prej gati 120 vjetësh, nga viti 1883, vit që mban tabloja "Motra Tone" e Kolë Idromenos, deri në fillim të viteve 2000, duke treguar rrugën që kanë përshkruar artet pamore në Shqipëri, për të mbërritur në fillim të shekullit XXI".


Ishte ky shkaku pse Galeria, e cila, që kur s'mbahet mend, dukej e pastër, pa rrangulla, nuk ndihej era e mykut dhe e lagështisë, ishte vendosur një sistem i ri ndriçimi dhe ishte rikonstruktuar ndriçimi artificial, ishin vendosur mure kartonxhez dhe montuar pajisje, dyshemetë shkëlqenin nga detergjentët, ndërsa parketet të qëruar nga njollat dhe të lëmuar, muret të bardhë dhe ndonjë pavijon edhe i veshur me letër muri, duke ua përshtatur sidomos tablove të pikturës qytetare në katin e parë, aty ku çdo piktor i fundit të tetëqindës, kishte nga një vepër me Skënderbe, si Anastas Ballamaçi, Murat Toptani, Theohar Gjini, Vangjel Zengo, Spiro Xega, etj.


Ata që shohin vetëm pjesën e dukshme të institucioneve kulturore, skenat dhe platetë, nuk u ka rënë rasti të frekuentojnë administratat apo hapësira të tjera, ku era tipike është e banjave, ato që tregojnë (me siguri) rrënimin apo dëshirën për të përmirësuar diçka.


Gjatë një viti, Shima udhëhoqi punën me fondet, zgjedhjen e veprave, restaurimin e tyre, deri tek konceptimi i linjës. Ai ka thënë gjatë kësaj kohe se ajo që do të shihnim, do të ishte sipas ideve të tij dhe vetëm të tijat, pa marrë parasysh këshilla shkencorë apo artistikë, studiues, kritikë apo historianë arti.


Nga 500 vepra të fondit në pikturë, skulpturë, u përzgjodhën rreth 240. Gati gjysma e koleksionit. U pastruan, konsoliduan, iu bënë ndërhyrje estetike, stukim dhe ritokim disave, pastrime të thella për veprat në bronz dhe në mermer, u pajisën me korniza me dru natyral.


Përfundimisht, vizitorët kanë për të parë 184 vepra arti në gjashtë salla të GKA-së, 19 skulptura në material dru, bronz e mermer, 165 piktura në teknika e materiale të ndryshme.


Projekti për rinovimin e sallave, e atij që tashmë e quajnë "muze" dhe për ekspozimin e veprave të koleksionit të përhershëm të saj, është mbështetur nga FAVA (Fondacioni për Artet Pamore pa Kufi), Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve) dhe sponsorë të ndryshëm, shpenzime që kanë kapur vlerën totale 15.063.733 lekë. Shteti, Galeria dhe MTKS-ja ka dhënë jo më shumë se 4.6 milionë lekë.


Gjashtë sallat përmbajnë vepra, të cilat Shima i ka klasifikuar në gjashtë kategori.
Salla I, me fillesat e pikturës në qytetet shqiptare (1883-1930), përmbledh artifaktet e para të pikturës dhe skulpturës shqiptare, duke ndarë në dysh periudhën e ashtuquajtur "Art i Rilindjes dhe i Pavarësisë" dhe duke grupuar autorë dhe vepra që shënojnë fillimet e një pikture laike në vend; Salla II, me pikturën realiste (shkolla e vizatimit, 1930-1950), përmbledh veprat dhe autorët e parë të shkolluar në shkollat e artit të vendeve fqinjë, por edhe evidenton një moment historik, si ai i hapjes së shkollës së artit në Tiranë në vitin 1931, me Sadik Kacelin, Kristina Koljakën, Vangjush Mion, Androniqi Zengon, Abdurrahim Buza, Nexhmedin Zajmi, Kel Kodheli, etj.; Salla III, e pikturës dhe skulpturës akademike dhe tabloja me temë historike e viteve 1950-1986, e përfaqësuar, sipas Shimës, "nga autorë që përpiqen të depërtojnë në natyrën e një arti të kompletuar në arritje teknike, që vihet në funksion të politikës dhe pushtetit, duke prodhuar edhe tablonë historike tipike që shoqëron periudhën e Realizmit Socialist".


Kësaj kategorie i përkasin veprat e Abdullah Cangonjit, Fatmir Haxhiut, Sali Shijakut, Guri Madhit, Petro Kokushtës, Andrea Manos, dy tablo me Enver Hoxhën në qendër, "Shpallja e Republikës" dhe "Në studio", të Vilson Kilicës.


Janë vepra të panjohura për publikun e sotëm. Në këtë pavijon është përfshirë edhe tabloja "Skorskë" (1966) e piktorit batalist, Fatmir Haxhiu, e cila është nxjerrë nga "fondi i zi" i GKA-së. Legjenda e saj, e cila shoqëron çdo vepër të veçantë të linjës, sqaron se vepra ka në qendër figurën e Mehmet Shehut, Kryeministër i Shqipërisë komuniste 1954-1981. Do të hiqej nga linja ekspozuese e GKA-së dhe do të vendosej në fondin e zi, në dhjetor 1981, kur Mehmet Shehu u gjet i vrarë në shtratin e shtëpisë së tij.


Në këtë pavijon është vendosur edhe "Femër nudo" e Shijakut, madje midis veprave me heronj kushtuar Vojo Kushit, sërish e Shijakut dhe "Betimit partizan" të Guri Madhit". Paraqitet për herë të parë, është e kohës kur piktori studionte në ish-Bashkimin Sovjetik; Salla IV, e Realizmit Socialist - Ndërtimi i modeleve të njeriut të ri;
Salla V, e pikturës formaliste, e Realizmit Socialist (1969-1974), paraqet vepra "të reja" krahasuar me pavijonin e "homo socializmit", që do të zinte vend deri vonë për disa vite në Galerinë Kombëtare.


Për herë të parë, Galeria Kombëtare i kushton një hapësirë të tërë të ashtuquajturës piktura formaliste e viteve '70-të, me seksionin e pestë të titulluar "Piktura Formaliste e Realizmit Socialist (1969-1974)", ku përpiqet të hedhë dritë dhe të sjellë me detaje një aspekt të rëndësishëm në kulturën tonë, si ai i quajtur "liberalizëm i viteve '70-të", që reflektoi edhe zhvillimet në artin pamor.


Ky është koncepti i Shimës dhe nuk kanë për ta zhgënjyer aspak vizitorin vepra të mrekullueshme të një autori që nuk i është përmendur pothuajse asnjëherë emri si Bajram Mata, apo koloristë të rrallë, si Danish Jukniu, Ismail Lulani, Edison Gjergon, Edi Hilën, etj.; salla VI, që është seksioni i fundit "Piktura dhe skulptura moderniste (1989-2001)", e cila përfshin si paraprijëse një kohë të arteve pamore me "Elementë të pikturës moderniste në vitet 1960-70". Tek ky segment janë veprat e Ksenofon Dilos, vërtet për t'u përshëndetur zgjedhja e tyre, të Llambi Blidos, etj.


Por, me siguri që kësaj kohe dhe pasnëntëdhjetës i mungojnë autorë të tjerë dhe vepra që kanë mbetur jashtë fondeve të galerisë, deri dje për arsye ideologjike, sot për mosfunksionimin e procesit të blerjeve dhe pasurimit të fondit. Kështu që këto dy kohë janë jo të plota.


Me këtë lloj klasifikimi, bazuar në përzgjedhjen e vlerave që veprat "transmetojnë dhe që lidhet me informacionin e kohës dhe të periudhës në të cilën janë krijuar", drejtori Shima mendon që "galeria del përfundimisht nga periudha e tranzicionit". Dhe, nga ana tjetër, ai nuk pret që brezi i vjetër ta kuptojë, por beson që të paktën të rinjtë, po.


Zbulimi

Gjatë ndërhyrjes që realizohej mbi veprat e koleksionit, e pikërisht mbi veprën e autorit Zef Kolombi, me titull "Rrugë në Elbasan", në pjesën e brendshme të suportit prej kompensate vendosur nga vetë autori, u ndesh me një autoportret të papërfunduar të autorit.


Vepra e gjetur, e papublikuar, i është nënshtruar procesit të ndërhyrjeve në sektorin e konservim-restaurimit, për t'iu bashkuar pjesës tjetër të koleksionit të trashëgueshëm.


Të dhëna
184 vepra arti janë ekspozuar në gjashtë salla të GKA-së

165 piktura në teknika e materiale të ndryshme

19 skulptura në material dru, bronz e mermer

15.063.733 lekë kushtoi projekti për rinovimin e sallave dhe ekspozimin e veprave të koleksionit të përhershëm

 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›