Scheffer në Tiranë: Shqipëria e meritoi NATO-n
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s nderohet me titullin më të lartë. Presidenti e siguron për zgjedhje të lira dhe të ndershme
TIRANË- Në vizitën e tij të fundit në Tiranë si Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s, Jaap De Hoop Scheffer ka deklaruar, pas takimit të zhvilluar me Kryeministrin Sali Berisha, se Shqipëria ka qenë dhe do të jetë zëri i arsyes, dhe i moderimit në rajon.
I njohur si një nga mbështetësit më të mëdhenj të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës së Atlantikut mori titullin "Doktor Honoris Causa", nga senati i Universitetit të Tiranës.
Titulli iu dorëzua nga rektori i UT-së, Dhori Kule, me motivacionin "Për kontributin e veçantë në realizimin e aspiratës së popullit shqiptar, për të qenë pjesë e strukturave euroatlantike që mbrojnë vlerat e demokracisë, sigurisë dhe paqes në botë".
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s ka deklaruar se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO nuk ishte dhuratë, por meritë e vetë Shqipërisë.
"Anëtarësimi i vendit tuaj, zoti Kryeministër dhe shkëlqesi ambasadorë, nuk ishte një dhuratë, nuk ishte diçka që jepet lehtë.
Ishte një shpërblim për punën e palodhur të shumë viteve dhe suksesin e reformave të vështira dhe të shumanshme, të cilat u ndërmorën me vendosmëri të palëkundur",- tha Scheffer, teksa u nderua në Universitetin e Tiranës, në prani edhe të studentëve shqiptarë, për të cilët ai u shpreh se, ndoshta një prej tyre, apo i diplomuar i ardhshëm nga ky universitet, mund të kishte privilegjin për të qenë Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s.
I mirëpritur me nderimet më të larta nga Tirana zyrtare, Scheffer mori edhe nga Presidenti i Republikës, Urdhrin e Lartë, "Gjergj Kastrioti Skënderbeu".
Gjatë takimit të zhvilluar, Presidenti i Republikës vuri në dukje se, "ne jemi të vetëdijshëm dhe të ndërgjegjshëm se puna e vërtetë fillon tani për të përmbushur, ruajtur dhe konsoliduar të gjitha standardet e NATO-s, si dhe për të qenë të denjë, profesionalë dhe besnikë në kontributin tonë në kuadër të kësaj Aleance, në misionet e saj në botë.
Një tregues i vullnetit dhe angazhimit tonë maksimal në këtë drejtim do të jetë dhe mbarëvajtja e suksesshme e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 28 qershorit, të cilat ne besojmë që do të realizohen të lira, të ndershme, të drejta dhe të pakontestuara".
Scheffer ishte dje i pranishëm edhe në punimet e takimit të ministrave të Punëve të Jashtme të Komisionit të Partneritetit, të Kartës Adriatik 5, që u zhvillua në Tiranë, në kuadër të kryesimit nga Shqipëria të Kartës së Adriatik A5. I pranishëm në këtë takim ishte zv.ndihmës sekretari i Shtetit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Stuart Jones, ministrat e Jashtëm të Shqipërisë, Bosnjë-Hercegovinës, Maqedonisë dhe Malit të Zi, sekretari i shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Integrimit Evropian të Kroacisë, ambasadori i SHBA-së në Tiranë, z. Xhon Withers, e të tjerë personalitete.
Berisha-Engelit: Garantoj zgjedhje të lira
TIRANË- Kryeministri Sali Berisha zhvilloi dje një takim me kongresmenin Eliot Engel, njëkohësisht anëtar i Komitetit të Punëve të Jashtme dhe Kryetar i Nënkomitetit për Evropën, së bashku me disa bashkëpunëtorë të tij dhe përfaqësues të komunitetit shqiptar në Amerikë.
Gjatë takimit, kongresmeni Engel i theksoi Kryeministrit Berisha se SHBA-të do të vazhdojnë të përkrahin dhe mbështesin Shqipërinë.
Nga ana e tij, Kryeministri Berisha e siguroi kongresmenin Engel, se qeveria shqiptare është tërësisht e përkushtuar për të realizuar zgjedhjet më të mira të organizuara ndonjëherë në Shqipëri, në përputhje të plotë më të gjitha standardet ndërkombëtare të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
"Për këtë qëllim qeveria ka ndërtuar infrastrukturën më të mirë zgjedhore dhe po pajis qytetarët shqiptarë me dokumente identifikimi nga me të sigurtat në Evropë",- tha Berisha gjatë takimit.
Në takim u diskutuan gjithashtu zhvillimet më të fundit në rajon, duke u ndalur në veçanti në procesin e njohjes së pavarësisë së Kosovës. "Pavarësia e Kosovës është faktor vendimtar për paqe e siguri të qëndrueshme në rajonin e Ballkanit Perëndimor",- u shpreh Berisha.