E Diel, 1 Nëntor 2026

Pastrimi i liqenit, mungon plani i posaçëm i ndërhyrjes

Liqeni artificial dhe gjallesat e tij rrezikohen së tepërmi nga ndotja kimike, rezultati i analizave të së cilit nuk ka dalë ende nga agjencia rajonale e mjedisit. Ndërkohë që deri tani nuk është folur ende për një plan të posaçëm ndërhyrjeje për pastrimin e liqenit artificial. Nga ana tjetër, lëvizja qytetare kundër betonizimit në një reagim mesditën e djeshme lidhur me ndotjen e liqenit artificial të Tiranës e ka konsideruar atë të qëllimshëm për t‘u hapur sipërfaqe të reja ndërtimeve në këtë zonë.

Specialistët e shëndetësisë kanë deklaruar sërish se ndotja e liqenit artificial të Tiranës erdhi si pasojë e derdhjeve të një sasie prej 300 kilogramësh bojë hidromat në të. Ata thonë se analizat e deritanishme tregojnë që nuk ka ndotje bakteriale. Problem mjaft shqetësues mbetet ndotja kimike e këtij liqeni, si dhe përcaktimi i rrezikshmërisë që ka uji i tij për gjallesat që e popullojnë këtë ekosistem. "Aktualisht rezulton që nuk ka ndotje bakteriale dhe mund të merren ndërhyrje qoftë me pastrimin dhe filtrimin e këtij uji, apo qoftë dhe me shkarkimin e pjesshëm të kësaj sasie uji. Pra, gjithmonë në koordinim dhe me shtimin e sasisë së ujit të pastër në këtë liqen, kështu që të bëhet një shpëtim i këtij liqeni për një katastrofë që është bërë aty, një ndotje ekologjike", tha Mhill Gecaj, drejtor i ASHR-së.

Megjithatë, sipas tij, ka shpresa për pastrimin e liqenit. "Përveç pluhurit hidromat që është përcaktuar dhe dihet tashmë që është një sasi pluhuri hidromat, por a ka substanca të tjera kimike të hedhura në liqen apo jo", vijoi Gecaj. Për sa u përket analizave kimike të ujit të liqenit, një ditë pas ndotjes së tij, duhet të merret agjencia rajonale e mjedisit, e cila ende nuk ka nxjerrë një rezultat të tyre. Dy ditë më parë, liqeni artificial i Tiranës është mbuluar nga një shtresë boje hidromat, e cila menjëherë ka shkaktuar jo vetëm ndotjen e tij, por edhe ngordhjen e menjëhershme të një sasie të konsiderueshme peshqish, që kanë dalë në sipërfaqe.

Ndërsa, drejtuesit e lëvizjes qytetare kundër betonizimit janë shprehur se kjo katastrofë ekologjike është e qëllimshme dhe konsiderohet si hapi i parë i një plani të mirëmenduar, që do të çojë drejt tharjes së liqenit, për të hequr më pas të gjitha barrierat që do të lejojnë ndërtimet në këtë territor. "Lëvizja jonë e ka parashikuar që një vit më parë që kjo gjë do të ndodhte". Altin Goxhaj, përfaqësues i kësaj lëvizjeje, është shprehur se ky është fillimi i atij fundi që lëvizja ka paralajmëruar një vit më parë. Kjo lëvizje qytetare ka vënë alarmin se liqeni synohet të shndërrohet në një kënetë dhe pas kësaj të thahet për t‘u shndërruar në një shesh ndërtimi. Ndërkohë që kanë shprehur edhe shqetësimin për shtimin e specieve të ngordhura në buzët e liqenit.

Aktualisht, punëtorët e bashkisë së kryeqytetit, pas tentativave të para për pastrimin e liqenit të ndotur me mjete thuajse krejt primitive, janë tërhequr pjesërisht. Kjo edhe për faktin se misioni i tyre për pastrimin e ndotjes me këto mjete duket krejtësisht i pamundur.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›