E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkëpunim italo-shqiptar: Varfëria do të dixhitalizohet

Të dhënat për varfërinë shqiptare do të dixhitalizohen. Ky është një ndër projektet më të fundit të nënshkruara me qeverinë e shtetit fqinj, Italinë. Një memorandum mirëkuptimi u nënshkrua mes Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta dhe Rajonit Friuli Venecia Giulia, Itali, për dixhitalizimin e të dhënave që administron kjo ministri dhe strukturat e saj. Marrëveshja u nënshkrua nga i sapodorëhequri si ministër i Punës, Anastas Duro, dhe presidenti i rajonit italian, Renzo Tondo, gjatë vizitës dyditore të një delegacioni të kësaj ministrie në Itali. Ky memorandum dypalësh pritet të finalizohet me një projekt konkret që do të fillojë së shpejti në Ministrinë e Punës dhe që ka në qendër të tij dixhitalizimin e të dhënave që menaxhohen nga institucione të këtij dikasteri, si të dhënat për varfërinë, shpërndarjen e saj dhe përfituesit; të dhënat për të papunët, kategoritë e tyre dhe përfitimet etj. "Realizimi i këtij projekti do të lehtësonte menaxhimin më të mirë të skemave përkatëse, do ta bënte më eficente punën e strukturave dhe do të mundësonte shërbimin më të mirë ndaj kategorive në nevojë. Pala italiane do të marrë përsipër mbështetjen me asistencë teknike të strukturave të Ministrisë së Punës për realizmin e projektit", shprehen përfaqësuesit zyrtarë të Ministrisë së Punës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›