Pastrimi i parave, ekonomia shqiptare sërish në rrezik, si në 97-n
Raporti më i fundit i Komisionit Europian e radhit Shqipërinë të parën në rajon për pastrimin e parave të krimit të organizuar. Institucionet europiane japin alarmin për situatën që vazhdon të mbetet e pandryshuar. Paratë investohen në sektorët më st
Ervin Koçi
Organizmat ndërkombëtare dhe institucionet më të larta të Bashkimit Europian kanë dhënë sërish alarmin për një situatë të paqëndrueshme ekonomike dhe financiare në Shqipëri, e cila mendohet se është përsëri “viktimë” e ekonomisë informale dhe e krimit ekonomik. Vetëm pak ditë më parë, një tjetër raport, kësaj here i Komisionit Europian, që analizonte situatën ekonomike dhe problemet në vendet e rajonit të Ballkanit dhe Europës Juglindore, ka nxirë faqet e tij në analizimin dhe pasqyrimin e të dhënave të situatës për Shqipërinë. “Grupet e krimit të organizuar e përdorin Shqipërinë si bazë për aktivitete kriminale në vende të tjera. Vendi atëherë mbetet në rrezik domethënës përsa i përket pastrimit të parave”, shkruhet në raportin e fundit të Komisionit Europian për Shqipërinë. Shqetësimi i Komisionit Europian duket se është ngritur në shkallë sipërore për fenomenin e pastrimit të parave për shkak të ekonomisë që funksionon akoma me para në dorë (cash) dhe që funksionon në këtë vend njësoj si në vitin 1991, atëherë kur nisi dhe tranzicioni në Shqipëri.
Raporti i Komisionit
Sipas raportit të hartuar vetëm gjatë muajve të parë të vitit 2007, kryesisht nga ekspertët e Komisionit Europian në rajon dhe i mbështetur edhe mbi rezultate dhe statistika të vetë institucioneve vendase, “ekonomia shqiptare përdoret nga grupe të krimit të organizuar për qarkullimin dhe investimin e parave që kanë si origjinë trafiqet e jashtëligjshme dhe që hyjnë në sasi mjaft të mëdha. Krimi i organizuar e përdor pastrimin e parave në ekonominë shqiptare si trampolinë për të kapur tregje dhe infektuar edhe vendet e tjera”. Më tej raporti i Komisionit Europian përmend edhe faktin se, “në media flitet çdo ditë për afera të zyrtarëve të lartë të botës politike dhe financiare, të përfshirë në fenomenin e pastrimit të parave në Shqipëri, por rezultatet konkrete kanë munguar dhe kanë mbetur në disa metra katrorë të sekuestruara te dy Kullat Binjake në qendër të Tiranës, apo disa metra katrorë troje të fondacioneve islamike të sekuestruara”.
Kritikat e europianëve
Komisioni Europian thotë se rezultatet praktike në luftën kundër pastrimit të parave mbeten të pakta. “Ekonomia e Shqipërisë, veçanërisht sektori privat, për pjesën më të madhe bazohet te paraja në dorë (kesh). Kjo e bën të vështirë veprimin e mekanizmave të kontrollit të shtetit. Grupet e krimit të organizuar e përdorin Shqipërinë si bazë për aktivitete kriminale në vende të tjera. Vendi atëherë mbetet në rrezik domethënës përsa i përket pastrimit të parave”. Raporti vëren se ligji për pastrimin e parave po rishikohet nga qeveria shqiptare, por akoma nuk është në të njëjtën linjë me legjislacionin e Bashkimit Europian dhe rekomandimet e Task-Forcës për aksion financiar dhe të ‘Moneyval’ të Këshillit të Europës. Gjithashtu raporti vëren se, ka mospërputhje midis dispozitave të Kodit Penal dhe Kodit Doganor, të cilat nuk janë rregulluar akoma.
Qarkullimi i parasë “kesh”
Raporti Europian përmend faktin se në Shqipëri është mjaft e vështirë që të eliminosh qarkullimin e parasë kesh nga ekonomia dhe individët, fenomen ky i cii tolerohet edhe nga bankat private. Sipas legjislacionit shqiptar dhe atij ndërkombëtar, për transaksione mbi 20 mijë dollarë bankat duhet të raportojnë te njësitë e luftës kundër pastrimit të parave. Por Komisioni Europian vëren se, “nuk ka pasur progres në vendosjen e mekanizmave që kontrollojnë paranë në dorë (kesh). Niveli i raportimit dhe sekuestrimit mbetet shumë i ulët dhe nuk reflekton nivelin e parave që hyjnë e dalin nga vendi. Ende nuk po zbatohen sanksione për mosraportimin. Raporti ndërmjet raportimeve për transaksione të dyshimta dhe hetimeve, ndjekjeve penale apo dënimeve, mbetet i ulët. Përgatitjet për luftën kundër pastrimit të parave janë në fazë fillestare”.
Falsifikimi i valutës
Edhe pse raporti i Komisionit Europian konstaton se në Shqipëri kanë qenë të pakta rastet kur është tentuar të falsifikohen valutat e huaja, përsëri rastet e qarkullimit të parave false dhe kryesisht valutë, kanë qenë të konsiderueshme. “Njësia policore e Krimit Ekonomik ka kryer disa operacione të suksesshme kundër falsifikimit të valutës, gjatë të cilave bllokoi sasi valutash false dhe arrestoi të dyshuarit”, thuhet në raportin për pastrimin e parave. Por ky raport vëren se bashkëpunimi operativ ndërkombëtar gradualisht po përmirësohet. “FIU ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me 26 vende, përfshirë shtatë vende anëtare të BE-së, dhe tani po negocion marrëveshje me gjashtë të tjera. Shqipëria ratifikoi Konventën e Këshillit të Europës për Pastrimin, Kërkimin, Sekuestrimin dhe Konfiskimin e të Ardhurave nga Krimi dhe për Financimin e Terrorizmit”, thotë më tej raporti.
14 Dhjetor 2007