E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria e Financave, e paaftë të luftojë krimin ekonomik

Raporti i fundit i Komisionit Europian për pastrimin e parave vëren se institucionet shqiptare janë shumë mbrapa dhe herë-herë edhe të paafta që të luftojnë krimin ekonomik. Ky raport thotë ndër të tjera se burimet hetuese dhe ekspertiza, mbështetja teknologjike dhe bashkëpunimi ndërmjet institucioneve të përfshira në luftën kundër pastrimit të parave, mbeten të pakta. Sipas tij, “NJIF-i (FIU) mbetet e varur nga Ministria e Financës për buxhetin e saj dhe stafin. Rekrutimi i stafit dhe nisja e operacioneve në Njësinë e re të Përbashkët për Krimin Ekonomik dhe Korrupsionin, janë të vonuara”. Përveç fondeve të pamjaftueshme në këtë sektor, si dhe mosangazhimit të duhur të qeverisë, raporti konstaton se në njësitë e specializuara ka edhe mungesë të punonjësve të kualifikuar dhe të specializuar për këtë luftë. “Numri dhe përvoja e pamjaftueshme e personelit po pengojnë ecurinë e Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara. Aktet zbatuese për administrimin efikas të pasurive të konfiskuara ende nuk janë përfunduar dhe kërkohet një mbështetje e mëtejshme nga Ministria e Financës dhe agjencitë ndërkombëtare të fushës”, theksohet në raport në lidhje me këtë problematikë.

Institucionet shqiptare, progres minimal në luftën ndaj evazionit

Komisioni Europian vëren se, disa përparime janë bërë në modernizimin e sistemit IT-së të Njësisë së Inteligjencës Financiare (FIU), në Ministrinë e Financave dhe për krijimin e lidhjeve elektronike me bankat. Inspektime janë bërë në zyrat rajonale të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, si dhe në noteri. Sipas raportit, “disa përparime, por jo të njëjta, janë bërë në luftën kundër pastrimit të parave. Qeveria ka përmirësuar përdorimin e sistemit bankar të vendit. Ligji për taksat u amendua për të penalizuar firmat që nuk paguanin rrogat nëpërmjet bankave. Pothuajse të gjitha rrogat e administratës publike paguhen tani nëpërmjet bankave”. Kodi Penal u amendua për ta bërë vepër penale mbajtjen e mallrave të vjedhura. Kjo sipas raportit, “mund të përmirësojë ndjeshëm luftën kundër pastrimit të parave nëse zbatohet ashtu siç duhet. Me dekret qeveritar, shkëmbimi valutor u lejohet vetëm agjencive të licencuara”. FIU dhe Banka e Shqipërisë ndërmorën një seri inspektimesh të përbashkëta të bizneseve të shkëmbimit valutor në Tiranë. Ministria e Brendshme dhe ajo e Financave, Prokuroria e Përgjithshme dhe Shërbimi Informativ Shtetëror kanë krijuar një njësi të përbashkët për hetimin dhe ndjekjen penale të krimit financiar, duke zëvendësuar Task-Forcën për krimin ekonomik dhe korrupsionin në Prokurorinë e Tiranës.

14 Dhjetor 2007

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›