Pastrohet plazhi i Gjirit të Dafinës, grumbullohen 265 kg mbetje

TIRANË, 5 gusht /ATSH/ Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura deklaroi ditën e sotme, se pas shqetësimeve të ngritura për ndotjen në plazhin e Gjirit të Dafinës, pjesë e Rezervatit Natyror të Menaxhuar “Karaburun”, strukturat e Administratës rajonale të zonave të mbrojtura (AdZM) Vlorë ndërhynë për pastrimin e plotë të kësaj zone.
Gjatë aksionit, stafi i AdZM Vlorë realizoi pastrimin e të gjithë sipërfaqes së plazhit, duke grumbulluar dhe larguar rreth 265 kilogramë mbetje të ndryshme.
Sipas AKZM-së, mbetjet e larguara përfshinin plastikë, qelq, kanaçe pijesh, polistiren, mbetje ushqimore dhe materiale të tjera të ngurta. Transporti i tyre u realizua me mjetin lundrues “Foka”, ndërsa më pas u depozituan pranë pikës së grumbullimit të mbetjeve në Radhimë.
Në kulmin e sezonit turistik veror, autoritetet bëjnë apel për bashkëpunimin dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve, operatorëve turistikë dhe vizitorëve për ruajtjen e pastërtisë së zonave të mbrojtura natyrore.
Ruajtja e standardeve mjedisore, siguria dhe mirëmenaxhimi i hapësirave natyrore mbeten elementë të rëndësishëm për zhvillimin e një turizmi të qëndrueshëm dhe forcimin e imazhit të Shqipërisë si destinacion turistik.
/e.i/j.p/r.e/