E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pastronte çiften e të atit, plagoset 17-vjeçarja

Pastronte çiften e babait, plagoset rëndë 17-vjeçarja. Ngjarja ka ndodhur paraditen e djeshme, në fshatin Kaduc të Kolonjës. Burime nga policia lokale thanë se ka qenë ora 11:00 kur adoleshentja, e cila ndodhej e vetme në banesë, ka marrë për të pastruar armën e gjahut të të atit, Fazlli Nure. Nga hetimet e policisë ka rezultuar se arma e gjahut është shkrepur në mënyrë të pavullnetshme dhe si pasojë është dëmtuar 17-vjeçarja, e cila ka marrë një plagë të vetme. Arma e gjahut në pronësi të babai të saj ka pasur brenda një saçme që është bërë shkak për plagosjen e vajzës. 17-vjeçarja është gjetur në banesë e përgjakur nga të afërmit, pas tri orësh nga momenti i plagosjes. Ajo është transportuar me urgjencë për në spitalin civil të qytetit të Ersekës, por gjendja e saj mbetet kritike, sepse ka humbur shumë gjak. Fillimisht u dyshua për një tentativë vetëvrasjeje, por hetimet e policisë konkluduan se plagosja e vajzës ka qenë aksidentale.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›