Tragjedia në Kamzë, nëna u vetëvar pas vdekjes së djalit
Katër ditë më parë, më 10 prill, në Kodër-Kamzë të Tiranës, 31-vjeçarja Ruzhdie Hoxha vrau veten pasi i biri 9-vjeçar vdiq në gjumë, nga temperatura e lartë. Nëna e dëshpëruar u var në ballkonin e shtëpisë, pasi nuk e përballonte dot dhimbjen për humbjen e fëmijës së vetëm. Në momentet e fundit, para se të ndërmerrte aktin fatal, ajo ka lënë të shkruar motivin e vetëvarjes, duke shpjeguar se nuk e donte më jetën pa të birin, që kishte ndërruar jetë në gjumë. Gjatë natës mendohet se djali ka pasur ethe dhe temperaturë, ndërsa e ëma është kujdesur për të, por duke menduar se ai do ta kalonte këtë gjendje gripale, nuk e ka çuar në spital. Djali ka rënë në gjumë për të mos u zgjuar më, ndërsa e ëma i ka ndenjur te koka, duke shpresuar se temperatura do i binte. Në mëngjes gruaja ka kuptuar se i biri nuk jetonte më dhe ka ndërmarrë aktin e vetë sakrifikimit.