E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pasuesi i Seserit, PD-PS raport të përbashkët në Kuvend

Zgjidhet ngërçi i krijuar mes mazhorancës dhe opozitës në lidhje me zëvendësimin e mandatit të deputetes së PS-së Rudina Seseri. Në mbledhjen e sotme të Këshilli i Mandateve dhe imuniteteve të dyja palët kanë rënë dakort të hartojnë një raport të përbashkët i cili do t`i paraqitet Kuvendit të Shqipërisë në votim.
 

Në një prononcim për mediat, deputeti i PS-së Kastriot Islami ka deklaruar se në këshill u ra dakort për 3 pika të rëndësishme.
“Ishte një mbledhje për gjetjen e një zgjidhjeje. U miratuan disa momente që ky mandat nga pikëpamja ligjore i takon PS-së. E dyta që ky problem të zgjidhet me shpejtësi dhe mos të ketë asnjë zvarritje të çështjes që të prishet konsensusi i integrimit dhe e treta: mbi bazën e propozimit të anëtarëve të PD-së që kjo çështje ti çohet Kuvendit e më pas t`i kalojë për interpretim KQZ” tha Islami.

Gjithashtu Islami theksoi se u ra dakort  që komisioni i reformës zgjedhore të plotësojë boshllëqet që kanë krijuar këtë fenomen me dy mandate.

"Ka dy vendime të KQZ-së për të njëtjin person që ka dy mandate atë të kryetarit të bashkisë dhe atij të deputetit. Edhe pse ai ka paraqitur dorëheqjen, nga pikëpamja strikte ligjore i njëjti person ka dy mandate dhe kjo është një situatë që është diskutar. U vendos që kjo çështje të zgjidhet në seancë plenare nëpërmjet një argumentimi juridik dhe të mos ndodhë më në të ardhmen” ka shtuar më tej Islami

Fillimisht, maxhoranca në Këshillin e Mandateve ka kërkuar që t`i propozohet Kuvendit pranimi i dorëheqjes së Gjon Bardhit, i cili ka refuzuar të zëvendësojë deputeten Rudina Seseri, duke zgjedhur të mbajë detyrën e kryebashkiakut të Fushë Krujës. 

Rudina Seseri vendosi të dorëzojë mandatin e deputetes më 16 dhjetor dhe sipas ligjit zgjedhor, i takonte emrit pasardhës në listën e PS-së për qarkun e Durrësit të merrte mandatin e saj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›