Gjykata Fier: Arrest shtëpie, Fatmir Kajollit
FIER- “Arrest shtepie” ka vendosur sot Gjykata e Fierit per këshilltarin bashkiak Fatmir Kajollin, qe rezulton i dënuar nga drejtësia italiane me të paktën 40 vjet burg.
Masa e sigurise eshte dhene sot, gjate nje seance te posacme ne ngarkim te tij, vetem dy ditë pas arrestimit. Prokuroria kërkoi “arrest me burg” , por trupi gjykues vendosi ta lere ne “arrest shtepie”.
Arrestimi
Kajolli akuzohet nga Drejtësia italiane për trafik lëndësh narkotike dhe pjesëmarrje në organizata kriminale. Emri i tij u shfaq dhe në kabllogramet e WikiLeaks, pasi ish-ambasadori Uidhers përmendte Kajollin si person me precedentë, i lidhur me politikanë në Fier.
Policia e Fierit, në një deklaratë zyrtare të saj, tha se arrestimi i Fatmir Kajollit është bërë për llogari të Drejtësisë italiane. Në bazë të njoftimit të kësaj policie, mësohet se ndaj 47-vjeçarit ekzistojnë dy masa dënimi. Konkretisht, në vitin 2000, Gjykata e Milanos e ka dënuar Fatmir Kajollin me 16 vjet burg, me akuzën e pjesëmarrjes në organizata kriminale me qëllim trafikim të lëndëve narkotike.
Vendimi tjetër që rëndon ndaj këshilltarit republikan, sipas Policisë, është ai i vitit 2001, dhënë nga Gjykata e Romës në Itali. Ajo e ka dënuar Kajollin në atë kohë me 24 vjet heqje lirie, me akuzën e trafikut të lëndëve narkotike. Të dhënat e Policisë kanë qenë të pakta në lidhje me arrestimin e 47-vjeçarit, biznesmen i njohur në qytet dhe prej disa vitesh pjesëmarrës aktiv në jetën vendimmarrëse të Fierit. Ajo që konfirmohet nga Drejtoria e Policisë së Fierit është fakti se arrestimi i Kajollit është bërë për qëllime ekstradimi dhe ndaj tij nuk rëndon asnjë akuzë në Shqipëri.
Mësohet se Kajolli nuk ka qenë person në kërkim, edhe pse datat e vendimit të dy gjykatave italiane janë të mbi 1 dekade më parë. Sipas Policisë, urdhri i shpalljes në kërkim ndërkombëtar nga ana e palës italiane është bërë ditët e fundit. Fakti që në vend Fatmir Kajolli nuk rezulton me precedentë penalë, do të thotë që i mbetet gjykatës të vendosë për ekstradimin e tij drejt shtetit fqinj. Ndonëse për palën shqiptare 47-vjeçari është person i pastër në dosjen e tij, emri i Kajollit doli në skenë vitin e shkuar, pas publikimit masiv të kabllogrameve, nga ana e WikiLeaks.
Në një kabllogram sekret që ish-ambasadori amerikan ka dërguar në Departamentin e Shtetit në gusht të vitit 2009, një vit para se të përfundonte mandatin, Uidhers raportoi për të gjitha lidhjet e disa deputetëve, sipas tij, me krimin e organizuar. Ai përmendi emrin e këshilltarit të Partisë Republikane, Fatmir Kajolli, si bashkëpunëtor me politikanë në çështjen e trafikut të lëndëve narkotike.