E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pasuria e paligjshme do të konfiskohet

Çdo pasuri e krijuar në mënyrë të paligjshme duhet të konfiskohet nga organet e shtetit. Kështu parashihet me ligj, kurse në Kosovë funksionon edhe një agjenci për një qëllim të tillë.

Kryeshefi Ekzekutiv i Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar (AAPSK), Rrahim Rama dhe Këshilltari për anti-korrupsion, George Mills, pranë misionit të Bashkimit Evropian për ligj e rend në Kosovë (EULEX) e kanë ftuar prokurorinë dhe gjykatën e qarkut të Prizrenit për një koordinim më të mirë me qëllim të rritjes së përpjekjeve kundër krimit të organizuar.

Në një takim të mbajtur dje në Prizren, Rama dhe Mills kanë informuar prokurorët dhe gjykatësit e gjykatës së qarkut lidhur me punën dhe synimet e AAPSK-së në kuadër të betejës që qeveria e Kosovës në koordinim me EULEX-in dhe organet vendore të drejtësisë janë duke bërë kundër krimit të organizuar në vendin tonë.

“Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar është adresa ku mund të drejtoheni për vendosjen dhe mbajtjen e pasurive që burojnë nga krimi i organizuar”, u tha kryeshefi Ekzekutiv i AAPSK-së, Rrahim Rama, prokurorëve dhe gjykatësve të gjykatës së qarkut të Prizrenit.

AAPSK është funksionalizuar në muajin maj 2011 në kuadër të betejës së qeverisë së Kosovës kundër krimit të organizuar. Formimi i AAPSK-së vjen edhe pas zotimit të vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor për luftimin e krimit të organizuar.

Në Brdo të Sllovenisë në prill të vitit të kaluar të gjitha vendet e rajonit e kanë nënshkruar marrëveshjen për konfiskimin e pasurisë ilegale, përkatësisht pasurisë e cila buron nga krimi i organizuar.

«Ligji në fuqi mbi bazën e të cilit është krijuar AAPSK lejon që pasuria e cila buron nga krimi i organizuar të sekuestrohet dhe konfiskohet nga organet e shtetit, » ka sqaruar Kryeshefi i AAPSK-së Rrrahim Rama në prezantimin e tij para prokurorëve dhe gjykatësve.

Përfaqësuesi i EULEX-it George Mills tha se beteja kundër krimit të organizuar është një çështje e cila ka të bëjë jo vetëm me Kosovën, por edhe me tërë Ballkanin perëndimor, Evropën e botën. Ai i ka ftuar prokurorët dhe gjykatësit e pranishëm që të koordinohen edhe më mirë për këtë qëllim me AAPSK-në e drejtuar nga zotëri Rrahim Rama.

Zotëri Mills ndërkohë ka njoftuar se EULEX-i është duke bërë trajnime për prokurorët dhe gjykatësit e Kosovës për të ndihmuar ata që së bashku me AAPSK-në të jenë të suksesshëm në betejën kundër krimit të organizuar në vendin tonë, rajon dhe më gjerë./Kosovapress/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›