E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendimi; Gramoz Selmani të merret i pandehur për vrasjet e Lushnjes



Gramoz Selmani kalon nga dëshmitari kyç për zbardhjen e krimeve të “Bandës së Lushnjes” në të pandehur. Vendimi u mor dje nga togat e zeza të Krimeve të Rënda, të cilat e vendosën një gjë të tillë pas kërkesave të shpeshta të avokatëve të shtatë të pandehurve, por edhe pasi mësuan se dosja e këtij personi ishte zhdukur, ndërkohë që ka qenë dëshmitar dhe pjesëmarrës në disa nga vrasjet e ndodhura mes rivalëve Aldo Bare e Artur Daja. Deri para fillimit të seancës së djeshme dhe përgjatë gjithë këtyre viteve hetim dhe gjykim, Gramoz Selmani është konsideruar dëshmitari kyç për disa krime të kryera nga të pandehurit dhe për të cilat akuzohen, por rrëfime të ndryshme në gjyq, si dhe këmbëngulja e vetë avokatëve të të pandehurve, detyruan trupën gjyqësore ta merrte të pandehur këtë person. Madje, kjo gjykatë kishte marrë pak ditë më parë rrëfimin e tij si dëshmi kyçe, ndërkohë që mbrojtja ngrinte shpesh pretendimin se ky shtetas akuzohet për gjashtë vrasje dhe duhet të merret i pandehur, duke detyruar gjykatën ta rrëzojë statusin e tij si dëshmitar në proces. Pikërisht kur ky moment u zgjidh nga gjykata, avokatët kanë ngritur një tjetër pretendim, se si mund të merrej Selmani i pandehur kur ndaj tij nuk ka as urdhër arresti dhe as akuzë. Meqenëse qëndrimi i mbrojtjes nuk u mor parasysh, avokati Vladimir Meçi kërkoi përjashtimin e trupës gjykuese nga ky proces, pasi sipas tij, gjykata po tregohet e njëanshme dhe po shkel procedurën. Nëse do të pranohet përjashtimi nga gjykimi i trupës gjykuese dhe kryesueses së kësaj trupe, gjyqtares Marsela Balili, atëherë procesi ndaj “Bandës së Lushnjes” do të gjykohet nga një trup gjykues i Gjykatës së Tiranës, ashtu sikundër është zgjidhur për dy krerët e saj, Aldo Bare e Enver Dondollaku. Një vit më parë, duke qenë se të gjithë gjyqtarët e Krimeve të Rënda ishin konsumuar duke dhënë nga një vendim për “Bandën e Lushnjes” apo ishin përfshirë në masa arresti apo sekuestrosh, çështjen e zgjidhi KLD, duke iu dhënë katër gjyqtarëve të Shkallës së Parë statusin e gjykatësit të Krimeve të Rënda. Por, këta katër gjyqtarë nuk kanë qenë të vetmit të përfshirë në gjykimet me pesë gjyqtarë të Krimeve të Rënda, duke mos qenë pjesë e kësaj strukture, pasi janë përfshirë edhe 10 gjyqtarë të tjerë penalistë të Gjykatës së Tiranës, së fundmi duke përfshirë në trupë gjykuese edhe civilistë. Ndërkohë, problemi tjetër me të cilin po has ky proces ka lidhje me mosgjetjen e adresave të 10 dëshmitarëve nga Lushnja.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›