E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alarm mjedisor; Durrës, bregdeti mbushet me mbeturina



Prej vitesh zona bregdetare e Durrësit është kthyer në një zonë të betonizuar, që ka marrë cilësimin si “masakra më e madhe urbane në vend”. Gjatë 12 viteve të fundit, sipas statistikave të Agjencisë Rajonale të Mjedisit, vetëm në zonën e Golemit dhe të Shkëmbit të Kavajës janë prerë në total më shumë se 11 mijë rrënjë pishash, ndërkohë që gjatë dy muajve të fundit bregdeti është kthyer në një “vendgrumbullim inertesh”. Agjencia Rajonale e Mjedisit shprehet e pafuqishme për të bërë ballë ndaj këtij fenomeni dhe jep alarmin së bashku me ambientalistët për ndotje masive të bregdetit durrsak.

Bregdeti

Ajo që po ndodh me bregdetin e Durrësit në 2 muajt e fundit dhe pikërisht pas mbylljes së sezonit veror 2009, i ngjet një aksioni me goditje të përqendruar, siç ndodhte në kohën e diktaturës, kur njerëzit dhe mjetet turreshin drejt diçkaje pa e ditur se po vepronin mirë apo keq. Ajo po ngjet edhe me bregdetin, kur mjete të lehta (dum-dume) dhe makina të tjera derdhin mbi rërë dhe fare pranë detit çdo ditë mbeturina inerte dhe organike. Në bazë të deklarimeve nga banorë të zonave bregdetare dhe konstatimeve edhe nga Agjencia Rajonale e Mjedisit, rezulton se në bregdetin e Durrësit po depozitohen mbeturina inerte brenda në det, si pasojë edhe e ndërtimeve pa kriter buzë tij.

Por, ambientalistët shprehen se edhe prerja e pemëve ka shkaktuar përmbytjen e një pjese të mirë të vijës bregdetare. Janë më shumë se 4 km vijë bregdetare të cilat jo shumë kohë më parë kanë qenë ranishte dhe zona të gjelbëruara e që sot janë përmbytur nga ujët e detit.

Fotografimi satelitor të vijës bregdetare që shtrihet nga Gjiri i Lalësit deri te porti detar, i realizuar nga specialistët italianë të rajonit të Markes (Itali) në fund të muajit shtator 2009, tregoi se një pjesë e mirë e bregut të detit është përfshirë nga erozioni dhe është përmbytur nga ujët e detit në më shumë se 5 km gjatësi dhe 300 m gjerësi në hapësira të ndryshme përgjatë kësaj vije bregdetare. Specialistët e mjedisit në Durrës kanë konstatuar se ky fenomen është shkaktuar nga dora e njeriut gjatë gjithë këtyre viteve.

Shkak për këtë janë bërë depozitimet e mbeturinave inerte brenda në det në disa zona, kryesisht në afërsi të Durrësit, prerja e sipërfaqeve të tëra me pemë si dhe ndërtimet pa kriter në det dhe në breg të tij. Territoret tashmë të përmbytura janë ato të Rrushkullit. Në vend të pyllit me pisha ku dikur gjallonin kafshë dhe shpendë të rrallë, sot ka vetëm ujë deti. Ajo pjesë ka qenë rezervat pyjor, ku gjuante për fazanë të artë udhëheqja politike e kohës së diktaturës.

Situata

Pas viteve ’90, dora e njeriut preu pishat dhe zhduku një pjesë të mirë të pyllit. Është një vijë rreth 1.5 km e pushtuar nga uji. Po ky fenomen ka ndodhur në bregdetin pranë fshatit Rinia, në të cilin një pjesë e bregut është transformuar në moçalishte. Më pas, fenomeni shfaqet në zonën e Porto Romanos, ku fare mirë tendencën e futjes së detit në tokë e tregojnë bunkerët e kohës së diktaturës komuniste, të cilët dikur ndodheshin në breg të detit dhe sot janë mbi 250 metra brenda në det ku thellësia e ujit arrin deri në 150 cm.

E njëjta gjë po ndodh në Durrës, për shkak të depozitimit të mbeturinave inerte në mënyrë masive, sidomos ngjitur me murin rrethues të portit si dhe ndërtimi i disa pistave detare, të cilat kanë shkaktuar tragjikisht përmbytjen e një sipërfaqeje të mirë bregdeti në zonën e Currilave dhe të Bërrylit. Deti ka kompensuar atë që i kanë marrë padrejtësisht banorët e atyre anëve. Për këtë tragjedi, në ekosistemin e kësaj pjese të bregdetit askush nuk është përballur ndonjëherë me ligjin. Gjithsesi, ARM në Durrës ka dhënë alarmin tek bashkitë dhe komunat, të ndërhyjnë me forcën e ligjit sa nuk është vonë, për të parandaluar një të keqe më të madhe.

11 mijë pisha të çrrënjosura në Golem përgjatë 12 viteve

Mjafton të ecësh përgjatë aksit rrugor Durrës-Shkëmbi i Kavajës-Golem dhe do të konstatosh se ato janë kthyer në zona të banuara, duke humbur rëndësinë e tyre dhe strategjinë e zhvillimit të turizmit bregdetar. Sipas një raporti të Shoqatës së Hotelierëve në Zonat Bregdetare, për sezonin veror 2009, “në Golem dhe Shkëmbin e Kavajës deri sot llogariten të jenë prerë mbi 11000 mijë rrënjë pisha, një krim ekologjik dhe turistik në bregdetin e Adriatikut, por një tjetër rrënim mbetet edhe ndërtimi i objekteve me më shumë se 6 dhe 8 kate, duke sfiduar hotele dhe komplekse turistike”. Shumë prej poseduesve të hoteleve turistike shprehen: “Ndihemi të konkurruar padrejtësisht nga pallate 10 dhe 12-katëshe, hotelet tona janë konform të gjitha lejeve dhe ligjeve të urbanistikës, duke ruajtur parametrat teknikë, ekologjikë për të mos prekur asgjë nga perla e natyrës, por edhe për të konkurruar denjësisht në fushën e turizmit bregdetar”. Shoqata e Hotelierëve të Zonave Bregdetare i ka kujtuar vazhdimisht Ministrisë së Turizmit, dhe komunës së Golemit, duke kërkuar zbatimin e kritereve në dhënien e lejeve të ndërtimit, pasi çdo shkelje e tillë po sfidon dhe nxjerr jashtë loje realisht komplekset turistike. Golemi dhe zona e Shkëmbit të Kavajës ngjasojnë me qendrat e banuara, si Durrësi e Kavaja, pasi edhe nga pikëpamja gjeografike ato janë bashkuar mes tyre me një rrjet të dendur ndërtimesh shumëkatëshe. Ato tashmë janë kthyer në zona urbane banimi dhe joturistike, mishërim i turizmit detar. Shkatërrimi urban dhe ekologjik në zonat më të lakmuara ka pasur gjatë qeverisjes socialiste edhe prapavijën politike, pasi atje sot gjenden vilat dhe hotelet e ish-ministrave dhe ish-deputetëve socialistë. Prej vitesh në Golem dhe Shkëmbin e Kavajës, komuna e Golemit ose më saktë KRRT e saj, ka dhënë dhe vazhdon të japë leje ndërtimi për ndërtimin e objekteve me mbi 6 kate, kur sipas ligjit mbi urbanistikën në zonat bregdetare të vitit 1994: “Nuk lejohen objekte të tilla si hotele dhe motele më shumë se 3 kate, duke ruajtur stilistikën dhe largësinë mes tyre, pa dëmtuar rërën dhe gjelbërimin”.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›