Patozi: Berisha ka shumë për t’i dhënë PD-së

Nënkryetari i PD, Astrit Patozi kërkon analizën e humbjes së 23 qershorit
Demokratët e bënë fushatën duke patur një kryefjalë, “ne na duhet Sali Berisha”. Për nënkryetarin e PD, Astrit Patozi kishte disa arsye pse nuk bëri fushatë me emrin e kryetarit dhe kryeministrit. “Çdo demokrat e ka pasur shumë të qartë se unë në pozicionin e nënkryetarit kam qenë zgjedhje personale e PD, por për ata jashtë PD nuk kam dashur të mendonin se kjo është detyrë e tij që të mburrë kryetarin e tij, por Sali Berisha nuk ka nevojë të flasë apo mendojë mirë për të, sepse Sali Berisha e ka shkruar me dorën e tij historinë e PD-së dhe të Shqipërisë nga ‘90 deri sot. Nuk ka aspak nevojë që të kalojnë disa vite dhe të ridimensionohet historia”. Në një prononcim për mediat, nënkryetari i selisë blu thotë pas dorëheqjen së liderit demokrat se, Berisha ka shumë për të dhënë për PD-në. “Mbi të gjitha refuzoj të flas për Sali Berishën në kohën e shkuar. Ai ka shumë për të dhënë për të sotmen dhe të ardhmen e PD-së dhe besoj se kontributi i tij do të jetë thelbësor në ringritjen e PD me shpejtësi në nivelet më të mira që ka patur ndonjëherë”- thekson Patozi. Disa gjëra sipas tij duhet të vihen në dukje mbi të tjerat, ngjan si krahasimi i dy modeleve në fushatë. “Është dita për të para kontrastin e madh me humbësit e fituesit .Berisha shkëlqen më ikjen tij, Edi Rama nxin me fitoren e tij. Nuk do bëjmë opozitën e nxirjes siç bëri Edi Rama. Është dita për të bërë diferencën mes një burri shteti. Edi Rama duhej të kërkonte ndjesë edhe pse ka arritur fitore të gjerë, të kërkonte ndjesë për 2009 deri më sot, sepse i ka shkaktuar kaq shumë andralla këtij vendi, sepse Sali Berisha dhe PD janë të njëjta si dje dhe sot”. Ka bindjen se PD edhe pse më numra të pakët në parlament do të jetë pushteti moral i vendit dhe një forcë politike që do të ngrihet më shpejtësi për të fituar zgjedhjet e radhës. “Por PD është arti i burrave të fortë dhe grave të forta, të cilët kanë parë shumë në këto tallaze të politikës, i kanë provuar të gjitha dhe PD është parti e profesionistëve njerëzve me integritet, të cilët me shpejtësi marramendëse do të ngrihen dhe do të jenë avokatë të padiskutueshëm të të gjithë atyre që do ta ndjejnë vetën në opozitë deri në zgjedhjet radhës”. Patozi, i cili kryesoi listën e qarkut të Vlorës, ku e djathta mori 4 mandate përkundër 8 mandateve të së majtës, thotë se për humbjen përgjegjësia nuk mund të jetë personale e Sali Berishës.
“Sali Berisha e personalizoi më shumë se ç’duhet përgjegjësinë e humbjes, nuk i heq asnjë meritë se ndjehemi njësoj përgjegjës në të gjitha nivelet për atë që ndodhën”.
Një gjë e thotë me bindje: “Pavarësisht se nuk e uroj, jam shumë i sigurt se kjo mazhorancë me tre të pestat, që në njëfarë mënyrë nuk ka nevojë, siç kishim ne nevojë ulëritëse për të, do të qeverisë më keq se ajo e Sali Berishës. Dua që shqiptarët të qeverisen mirë, por do të qeverisën më mirë në fitoren e ardhshme të PD”.