“E djathta ka nevojë për riorganizim, PR do jetë pjesë e saj”
Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu
Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu në një prononcim për mediat komentoi humbjen e të djathtës në këto zgjedhje parlamentare, por edhe rezultatin e partisë së tij. Mediu u shpreh se e djathta ka nevojë të reformohet. “Ne u përpoqëm të ishim të vërtetë, mirë apo keq këtë e gjykuan qytetarët. Duhet të bëjmë analizë për hendekun e krijuar me qytetarët, duhet më shumë hapësirë për individët brenda së djathtës, ka nevojë për gërshetim më të mirë të marrëdhënieve strukturore. Elektorat i djathtë nuk është pronë. Përderisa bazohemi në konceptin e lirisë duhet t’i japim mundësi individëve të konkurrojnë dhe më pas fitojnë. Duhet të përcaktojmë më tepër identitetin e qartë të së djathtës, të krijohet morali ynë politik për fitore në zgjedhjet e ardhshme”, tha ai. Sipas Mediut e djathta duhet të riorganizohet dhe riformatohet. “PR ka shanset të jetë pjesë e saj. Nuk mjafton një person i fortë por i gjithë ekipi”, vijoi ai. Ndërsa duke folur për forcën politike që përfaqëson, Mediu u shpreh se, “PR ka rritje në raport me 2009, kjo është një gjë pozitive për kontributin e kësaj partie tek e djathta, jemi kontribuues nga Tropoja në Tiranë. Mund të them se Vota e PR ishte dominonte në qarqe për të ruajtur mandatet e djathta”, tha ai. Kreu i PR-së komentoi më tej edhe dorëheqjen e liderit të së djathtës, Sali Berisha. “Ndjehem i privilegjuar të kem pasur shansin ta njoh Berishën, ka aftësitë e një lideri të jashtëzakonshëm. 22 vjet të historisë politike kanë kontributin e tij, sidomos në rangun kombëtar. Berisha është padyshim ai shtetar që ka parë interesin e zhvillimit të vendit. Nuk duhet të bazohemi në analiza emocionale, kur flasim për ta analizuar, por them që ai njeri pati vizion për orientimin në NATO për BE, punoi me përkushtim për ndërtimin e institucioneve demokratike në këtë vend”, tha Mediu.