E Diel, 1 Nëntor 2026

Patozi: Draftet më 18 mars, por pa shkelur Kushtetutën

TIRANË - Megjithëse mazhoranca dhe opozita kanë miratuar dje së bashku me procedurë të përshpejtuar nismat e PS-së, shumica ka bërë edhe një herë të qartë se hapja e kutive nuk mund të kryhet.


Kreu i grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi, duke folur dje në Kuvend theksoi se mazhoranca është e gatshme që të diskutojë çdo gjë me opozitën, por jo çështjet që prekin Kushtetutën e vendit, duke lënë të kuptohet se 18 marsi nuk mund të përfshijë në axhendën e diskutimeve çështjen e hapjes së kutive të votimit.


Ai vuri në dukje se mazhoranca është e gatshme që më 18 mars të shqyrtojë projektligjin e Partisë Socialiste, për hetimin e zgjedhjeve të fundit parlamentare, por me kushtin që shqyrtimi i këtij projektligji të mos dalë mbi vendimet e gjykatave dhe të Kushtetutës "Do propozoja ta heqim datën e shqyrtimit (në komisionin e Ligjeve), dhe më pas me datë 18 mars në seancë plenare, ta shqyrtonim.


Është e vërtetë që në Konferencën e Kryetarëve kemi rënë dakord për datën dhe ka qenë këmbëngulja e vetë zotit Ruçi që ne të zgjedhim një datë sa më të afërt. Kemi qenë të prirur që të diskutojmë që sot, por më datë 18 mars do ta shqyrtojmë. Grupi parlamentar i Partisë Socialiste duhet ta pranojë diskutimin për projektligjin, duke i garantuar se do të diskutojmë çdo gjë, por jo ato çështje që dalin mbi Kushtetutën", - tha dje Patozi.


Me ndryshimin e rregullores, një deputet është anëtar i përhershëm në dy komisione.

Rregullorja, PD ligjëron shkeljet në Kuvend


TIRANË - Atë që nuk ia dha sovrani me votë në 28 qershor, pra shumicën e nevojshme edhe në komisionet kuvendore, mazhoranca e djathtë e ka marrë në tavolinë nëpërmjet një manovre parlamentare.


Me votat e saj dhe pa praninë e opozitës, shumica e djathtë ka ndryshuar dje në seancë plenare rregulloren e Kuvendit, duke bërë të mundur krijimin e hapësirës që një deputetë mund të jetë njëkohësish anëtarë i përhershëm në dy komisione parlamentare, duke bërë të mundur kështu që të sigurojë shumicën në çdo komision të përhershëm parlamentar.


Me 73 vota pro dhe asnjë kundër, deputetët e djathtë kanë miratuar ndryshimin e Rregullores së Kuvendit në dy pika, dhe pikërisht në nenin 8 ku bëhet fjalë për Konferencën e Kryetarëve dhe në nenin 20 ku përcaktohet mënyra e funksionimit të komisioneve.


Komisionet


Të gjendur shpesh herë në vështirësi për shkak të numrave të munguar në komisione, mazhoranca e djathtë vendosi dje ta bëjë të ligjshme atë që deri dje e bënte në kundërshtim me rregulloren e funksionimit të Kuvendit.


Në emër të shumicës së djathtë, kreu i grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi, i kërkoi kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, që të përfshinte në rendin e ditës dhe një pikë të veçantë për ndryshimin e rregullores sipas një propozimi, sipas tij, ishte miratuar vetëm dy ditë më parë në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetet.


Në emër të këtij këshilli, deputeti Viktor Gumi prezantoi ndryshimet e paraqitura, duke theksuar se ato bëhen në bazë të parimit kushtetues të shumicës parlamentare jo vetëm në seancë, por edhe në komisione.


Sipas tij, rregullorja ekzistuese pengonte që shumica qeverisëse të kishte edhe shumicën në komisionet e përhershme parlamentare. Për këtë, ai ka sjellë në vëmendje se një hapësirë të tillë e parashikonin edhe rregulloret e një sërë parlamentesh të Bashkimit Europian. "Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetet në mbledhjen e tij të datës 02.03.2010 shqyrtoi propozimin e bërë nga grupi parlamentar i PD-së për disa shtesa dhe ndryshime në Rregullore.


Në këtë mbledhje u diskutua mbi propozimet e bëra si nevojë pas ndryshimeve kushtetuese, si dhe respektimit të parimit kushtetues të shumicës parlamentare në nivelin e seancës plenare dhe në komisione", - tha Gumi në fjalën e vet. Ndërkohë, me ndryshimin e bërë tashmë si rregull një deputetë duhet të jetë anëtar i përhershëm i një komisioni, dhe jo më shumë se dy të tillë.


Ky ndryshim bën të mundur që një deputet të jetë anëtarë i përhershëm në më shumë se një komision, ç'ka i jep shansin shumicës qeverisëse që të krijojë në kohë shumicën në komisione dhe të evitojë në këtë mënyrë çdo mundësi bllokimi nga ana e opozitës.


Emrat


Por, megjithatë duket se mazhorancës nuk i mjafton ky ndryshim, pasi menjëherë ka shkelur amendimin e bërë në rregullore. Kështu, ajo dje ka votuar shtesat e deputetëve nëpër të gjitha komisionet e përhershme, por duke mos respektuar rregullin që një deputetë nuk mund të jetë anëtarë i përhershëm në më shumë se dy komisione.


Gjatë miratimit të djeshëm shumicës i ka shpëtuar ky detaj, duke votuar deputeten Mesila Doda, si anëtare edhe në dy komisione të tjera, përveç atij të medias, ku aktualisht bënte pjesë.


Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, duke lexuar emrat e rinj që shtoheshin nëpër komisione ka bërë të ditur se Mesila Doda do të jetë anëtare e përhershme përveç komisionit të Medias edhe në komisionin e Ligjeve dhe atë të Integrimit.


Gjithashtu, seanca ka miratuar edhe ndryshimin e nenit 8 të rregullores, duke hequr fjalën dy zëvendëskryetar dhe duke e zëvendësuar atë me fjalën nënkryetarët. Në këtë mënyrë ajo ka ligjëruar një veprim që e kishte ndërmarrë që në fillim të kësaj legjislature, për të bërë strukturën drejtuese të parlamentit me 3 zëvendëskryetar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›