E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ruçi: Ja provat e vjedhjes së votës Berisha: Dërgoji në Prokurori

Kuvendi është përfshirë dje në debat mes kryeministrit Berisha dhe kryetarit të grupit parlamentar të PS-së, Ruçi


TIRANË - Mazhoranca dhe opozita janë përfshirë dje në debate të ashpra mbi ekzistencën e provave që faktojnë manipulimin e zgjedhjeve të 28 Qershorit. Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, gjatë diskutimit të tij në Kuvend paraqiti një sërë kartash identiteti që, sipas tij, janë të falsifikuara dhe me të cilat është votuar në 28 Qershor të vitit të kaluar.


Duke theksuar se rasti i komunës së "Ruzhdijes" nuk është një rast i izoluar, ai shfaqi disa karta identiteti të qarqeve Tropojë, Dibër e Tiranë, duke theksuar se ato janë të falsifikuara dhe kanë qenë votuesit e djathtë ata që kanë votuar me këto karta. Sipas tij, ky ka qenë një nga rastet e mekanizmave të manipulimit të zgjedhjeve.


"Shikoni këtu keni dy karta identiteti fals, nga Tropoja, të përdorura në zgjedhje me kartat tuaja të identitetit. Urdhëroni këtë zotëri të njëjtë me dy karta në Tiranë. Nuk është vetëm Ruzhdije dhe Tropojë, urdhëroni këtë zotëri me dy karta identiteti në Dibër", - tha dje Ruçi.


Por, menjëherë ka reaguar Kryeministri Sali Berisha, i cili i kërkoi që çdo provë që disponon opozita që paraqesin manipulime në procesin zgjedhor, t'i dërgojë në Prokurori. Ai akuzoi Ruçin se paraqitja e kartave të tilla të identitetit janë vetëm pseudo-fakte dhe me qëllime të mbrapshta që kërkojnë të nxijnë procesin e liberalizimit të vizave.


"Ajo që e ftoj zotin Ruçi, është që të gjitha këto, t'i paraqesë në Prokurori. Sistemi i kartave të identitetit është një nga reformat themelore të këtij vendi. Të paraqesësh pseudo-fakte këtu, ka një qëllim fare të mbrapshtë dhe është e thjeshtë që t'i shkosh me pasaportë diplomatike, por ka mijëra qytetarë që duan të lëvizin të lirë.


Nuk duhet luajtur asnjëherë me problemin e vizave. Mundësisht dorëzoni në prokurori, për të faktuar se nuk ke një qëllim të mbrapshtë që të nxish procesin e marrjes se vizave",- u shpreh Berisha.


Për më tepër Berisha ironizoi kreun e Grupit parlamentar të PS-së, duke thënë se kartat e identitetit të paraqitura prej tij janë vetëm fletëhyrje në kazino dhe patenta dhe këto, sipas tij, janë një turp për sistemin e kartave të identitetit.


"Në vullnetin për kompromis, se çdo provë përfshirë edhe stilolapsat pa bateri e patentat t'i marrë dhe t'i çojë në prokurori. Dokumentet që paraqitet ju këtu, janë një turp ndaj sistemit të identifikimit.


Një mesazh më thotë; se ato janë fletëhyrje në "Regency Casino". Çfarëdo fakti që të keni çojeni në prokurori. Mos u ktheni në parti të Ruzhdijes se jeni parti e opozitës", - ironizoi Berisha, ndërsa kërkoi që prokuroria të hetojë çdo shkelje, pasi, sipas tij, integriteti i procesit është bazuar në forcat simetrike bipartizane në komisionet hetimore. Por, sipas Ruçit, ato që ai paraqiti para Kuvendit nuk janë as patenta e as fletëhyrje, por karta identiteti, me të cilat kanë votuar vetë votuesit e djathtë.


Për këtë arsye, sipas Ruçit, duhet të ngrihet komisioni hetimor që të vërtetojë manipulimet që janë kryer për zgjedhjet e fundit parlamentare. "Ajo që u paraqita unë nuk janë patenta, janë karta identiteti zoti Berisha.


Ruzhdije nuk është një rast i izoluar, por Ruzhdije është e gjithë Shqipëria. Këto që ju thashë dhe këto fytyra që ju paraqita që kanë votuar nga 3-4 herë janë votuesit tuaj. T'i ngremë këto në komision dhe t'i vërtetojmë të gjitha këto", - nënvizoi Ruçi.


Duke iu referuar kërkesave të opozitës kreu i mazhorancës, Berisha theksoi se opozita është e mirëpritur që të hartojë të gjitha amendamentet, duke marrë parasysh rekomandimet e OSBE-ODIHR-it për të kryer përmirësime në procesin zgjedhor.


Por, sipas kreut të grupit socialist, nëse nuk hapen kutitë e votimit, për t'u vërtetuar problematika e vërtetë e këtyre zgjedhjeve nuk mund të kryhet përmirësimi i Kodit Elektoral, duke shtuar se të gjithë përgjegjësit që kanë kryer manipulime me procesin zgjedhor të vihen para përgjegjësisë.


Debatet midis Ruçit e Berishës:

Berisha: Ajo që e ftoj zotin Ruçi, është që të gjitha këto, t'i paraqisni në Prokurori. Sistemi i kartave të identitetit është një nga reformat themelore të këtij vendi, të paraqesësh pseudo-fakte këtu, ka një qëllim fare të mbrapshtë... Dokumentet që paraqitet ju këtu, janë një turp ndaj sistemit të identifikimit. Një mesazh më thotë; se ato janë fletëhyrje në "Regency Casino". Çfarëdo fakti që të keni çojeni në prokurori. Mos u ktheni në parti të Ruzhdijes se jeni parti e opozitës.

Ruçi: Ajo që u paraqita unë nuk janë patenta, janë karta identiteti zoti Berisha. Ruzhdije nuk është një rast i izoluar, por Ruzhdije është e gjithë Shqipëria. Këto që ju thashë dhe këto fytyra që ju paraqita që kanë votuar nga 3-4 herë janë votuesit tuaj. T'i ngremë këto në komision dhe t'i vërtetojmë të gjitha këto.

Berisha: Keni 6 muaj të ngujuar në kuti dhe tani që dolët nga kutia, sillni ligjin. A është e drejtë për një parti që ka qeverisur vendin për 8 vjet të veprojë kështu. Çfarë keni sjellë. A ekziston në historinë e botës që të sillet komisioni me ligjin njëkohësisht.

Topalli: Ka qenë një gafë e paparë

Ruçi: Kërkohet një transparencë dhe në bazë të kësaj transparence të bëhet përmirësimi të Kodit Elektoral. Nuk ka përmirësim të Kodit Elektoral pa parë ku janë defektet.

Berisha: E fundit që mund të ndërmerrni, është gjuha e forcës, mos mendoni se mund të më impresiononi me protesta. Unë e kam faktuar këtë. Hajde të ulemi dhe ta përpunojmë atë ligj, e pranuam ashtu si e sollët, hajde ta votojmë këtë ligj"

Ruçi: Ky është sjellje edhe më e keqe me provokacionet që po i bëni opozitës, po ta them që mos prisni rotacione të tilla në seancën e Parlamentit. Kur themi krizë, një nga arsyet është pikërisht dhe kjo.

**********************

Pyetësori, komiteti miraton kapitujt për financat

TIRANË - Shqipëria ka arritur të miratojë rreth 21 nga 35 kapitujt e Pyetësorit të Bashkimit Europian që do të duhet të dorëzohet brenda këtij muaji për të shfaqur panoramën e zhvillimit të vendit tonë.


Pas 15 kapitujve të miratuar disa javë më parë, Komiteti Ndërministror i Integrimit miratoi dje edhe gjashtë kapituj të tjerë, të cilët kanë të bëjnë me lëvizjen e lirë të kapitalit, që koordinohet nga Banka e Shqipërisë, shoqëria e informacionit dhe media, kontrolli financiar, tatimet, financat dhe buxheti që koordinohet nga Ministria e Financave, si dhe kapitulli që ka të bëjë me mjedisin, i cili koordinohet nga Ministria e Mjedisit.


Kryeministri Sali Berisha, cili drejton edhe Komitetin theksoi se kapitujt kanë së bashku 327 përgjigje, ose rreth 14 për qind të të gjitha pyetjeve të Pyetësorit. Ndërkaq, sipas tij, deri më tani janë përkthyer 2249 faqe dhe 1565 anekse apo shtojca.


Kreu i qeverisë vuri në dukje se përgjigjet e pyetjeve duhet të realizohen në mënyrë konçize dhe jo evazive. Megjithatë, ajo që ka ngadalësuar procesin e plotësimit të Pyetësorit, është kriteri politik.


Ky kriter parashikon që vendi duhet të ketë një stabilitet politik, një marrëdhënie normale e të qëndrueshme ndërmjet faktorëve politikë, ndërsa në vend vazhdon ende kriza politike për zgjedhjet e 28 Qershorit.

Kapitujt e miratuar nga KNI, janë:

Kapitulli 4, Lëvizja e lirë e kapitalit, koordinuar nga Banka e Shqipërisë;
Kapitulli 10, Shoqëria e informacionit dhe media, koordinuar nga Ministri i Shtetit;
Kapitulli 16, Tatimet, koordinuar nga Ministria e Financave;
Kapitulli 27, Mjedisi, koordinuar nga Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave;
Kapitulli 32, Kontrolli financiar, koordinuar nga Ministria e Financave;
Kapitulli 33, Financa dhe buxheti, koordinuar nga Ministria e Financave.
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, i cilëson nismat antiligjore ende pa filluar diskutimi i tyre


Topalli: Dy nismat e PS-së, antikushtetuese

TIRANË - Dy nismat e PS-së, të cilat kanë si qëllim transparencën e zgjedhjeve të 28 Qershorit për kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, janë antikushtetuese. Gjatë fjalës së mbajtur dje në fillim të seancës në Kuvend, Topalli deklaroi se komisioni hetimor i kërkuar nga opozita është i bazuar në një draft.


"Zotërinj, nuk është nevoja që të jesh as deputet dhe as jurist, keni dëgjuar ju ndonjëherë se mund të bëhet kërkesë në Parlament për të ngritur një trupë të bazuar mbi një draft? Ndodh ndonjëherë? Dhe pastaj të thotë, jo zonjë, ec paralel, ke edhe një draft tjetër, ta ndryshosh ligjin ashtu siç më duhet mua.


Si Kryetare e Kuvendit, unë kisha mundësi, bazuar te Rregullorja dhe duke i parë draftet që të dyja janë antikushtetuese, t'i refuzoja, t'i thosha merre mbrapsht, zotëri, kërkesën për ngritjen e komisionit hetimor", - tha dje Topalli. Duke folur për koncesionet që, sipas saj, kryeministri Sali Berisha i ka bërë opozitës, Topalli theksoi se i fundit lëshim i mazhorancës ishin pikërisht dy nismat e depozituara nga ana e PS-së.


"Erdhi 26 shkurti dhe depozituan dy kërkesat. U bë koncesioni tjetër, është futur në axhendë për të votuar kërkesat për komisionin hetimor bazuar në draft jo në ligj! Si Kryetare e Kuvendit duhet ta kisha kthyer mbrapsht dhe duhet t'i kisha thënë: zoti Ruçi, merreni mbrapsht. Po të kalojë ligji, atëherë mund të sillni kërkesën për të ngritur komisionin hetimor.


Por nuk fola. Nuk fola as kur solli projektligjin për ndryshimet që dëshironte të bënte, megjithëse janë kokë e këmbë antikushtetuese. Në këtë projektligj kërkojnë që hetimi i procesit zgjedhor të zgjasë 12 muaj. Por, 12 muaj janë baras me destabilitet", - tha ajo.


Topalli shtoi se vetëm në diktaturë mund të kërkohet që mazhoranca të kthehet në minorancë me ligj, për të hetuar zgjedhjet politike apo lokale.


"Në draft kërkojnë që komisioni të jetë i pakushtëzuar dhe nuk lexojnë vendimet numër 18 dhe 20 të Gjykatës Kushtetuese që janë obligative, ku thuhet që 'Komisionet hetimore nuk kanë kompetenca të pakufizuara'," - tha Topalli, e cila shtoi se puna për diskutimin e dy nismave të PS-së do të fillojë në Komisionin e Ligjeve që javës tjetër.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›