Patozi: Dy momentet që zgjidhin konfliktin mes PD-së dhe PS-së
PS, si Sizifi, me gurë në shpinë dhe kurrë në majë
Kur ishte student, mbajti shënime për ditët më të guximshme të shqiptarëve, ato të 90-s. I përjetoi secilën prej tyre, por bashkë me to erdhi edhe zhgënjimi, ai i humbjes së PD-së në garën e parë elektorale me PPSH-në. Dhe pasi nuk mundi ta paraprinte dot historinë, pasi situatat e mëdha politike kanë ligjësitë e veta, Astrit Patozi kur po piqej politikisht, i grisi ato shënime. Ndaj, në këtë intervistë për standard, ai bën një retrospektivë të asaj kohe që e përjetoi në çdo minutë të saj që nga çasti kur qindra kryeqytetas thyen muret e ambasadave, revoltën studentore të dhjetorit të 90-s, grevën e urisë në shkurt të 91-shit, që rrëzoi edhe bustin e diktatorit, pjesë e së cilës ishte edhe vet i riu nga Kavaja. Por pavarësisht kësaj, në vitin 1995, Astrit Patozi që kishte filluar gazetarinë, por me veshët nga politika, nuk u tregua edhe aq trim sa të merrte Medaljen e Trimërisë që i akordoi ish-Presidenti Sali Berisha. Dhe sot pas kaq shumë vitesh, z. Patozi, pjesë e lidershipit të partisë në pushtet, ndien keqardhje që një forcë politike si PS-ja e Edi Ramës proteston për transparencë zgjedhjesh në një kohë që Shqipëria njohu zgjedhjet më demokratike. Z. Patozi është i bindur se konflikti mes palëve zgjidhet nëse PS-së i rikthehet arsyeja dhe kapërcen paranojat që e mbajnë të ngërthyer në një sindromë të rrezikshme, e cila, sipas tij, po vazhdoi edhe pak, mund të kthehet në sëmundje të pashërueshme. Sa i përket mundësisë së një marrëveshjeje PD-PS, kreu i grupit parlamentar të PD-së thotë se mund të ketë vetëm nëse ka klimë për mirëkuptim dhe mirëbesim. Funksionari i lartë i PD-së garanton se mazhoranca është krejtësisht e hapur dhe i ka dhënë opozitës shumë oferta për të lënë pas këtë atmosferë keqbesimi të stisur. Patozi mendon se është shumë racionale fillimi i punës për ndryshime në Kodin Elektoral, me garancinë absolute që opozita të udhëheqë të gjithë procesin. Sipas tij, ofertë me serioze se kjo nuk mund të ketë. Dhe në rast të një bojkoti të lokaleve 2011 nga opozita, Patozi bën të qartë qëndrimin e PD-së: E vetmja gjë që mund të servirim për ti ndihmuar, është dora e dialogut, e cila do të qëndrojë e shtrirë, derisa dikush nga pala tjetër të bëhet burrë për ta shtrënguar. Sipas Astrit Patozit, PS-ja sot po ngjason me Sizifin, mallkimi i të cilit ishte të ngjitej nga e para me gurin në shpinë, pa arritur kurrë në majë.
Z. Patozi, a po e zbeh ndopak debati politik që ska të ndalur, magjinë e Kampionatit Botëror Afrika 2010, sidomos tani që po afron finalja e madhe?
Nuk e besoj. Madje mendoj se po ndodh e kundërta. Magjia e evenimentit më të madh sportiv në botë i ka bërë të duken edhe më pa erë, ngjyrë dhe shije, pseudoargumentet e të ashtuquajturës kauzë e Partisë Socialiste. Kam përshtypje se edhe vetë Edi Rama e di këtë, ndaj edhe ka marrë vendimin për një pushim të ri deri në shtator. A thua se nuk ishte pothuajse pushim grupi parlamentar i PS-së gjatë gjithë këtij viti.
Mes zhurmës që prodhon politika, a keni gjetur kohë për të ndjekur ndeshjet e këtij kampionati?
Unë jam një i apasionuar i pandreqshëm i futbollit, që nga fëmijëria e deri sot. Ndaj edhe pavarësisht cdo ngarkese në punë apo gjetkë, unë gjithmonë e gjej kohën për të ndjekur ndeshjet, sidomos kur bëhet fjalë për kampionatet botërore apo Champions League.
Cila është skuadra juaj e zemrës dhe preferoni ti ndiqni ndeshjet e saj në shtëpi apo me shoqërinë?
Ka një gërshetim të këtyre të dyjave, në varësi të rrethanave dhe të rëndësisë së ndeshjes. Gjermaninë preferoj më shumë ta shikoj në shtëpi, mundësisht vetëm, pasi dua të jem i përqendruar dhe nuk e kam shumë për zemër të dëgjoj shigjetimet e kundërshtarëve të saj, që nuk mungojnë në Shqipëri.
Mbani mend çmendurinë që keni bërë kur ka fituar Gjermania?
Nuk di të kem bërë thagma ndonjëherë, përveç faktit që kam qenë një debatues i zjarrtë dhe i pamëshirshëm në të gjitha kuvendet që zhvilloheshin mes miqsh, sa herë që Gjermania dilte kampione. Dhe kjo nuk është se ka ndodhur rrallë.
Pas publicitetit që i bëri në mbledhjen e grupit të PD-së, Kryeministri Sali Berisha skuadrës së Argjentinës, duket se pjesa më e madhe e deputetëve po ndërrojnë preferencat sportive dhe po shndërrohen ashtu si kryetari, në tifozë të Argjentinës apo jo?
Nuk e besoj se është kështu, pasi edhe vetë z. Berisha nuk është shumë i fiksuar në vlerat e një skuadre. Dhe këtu përfshihet edhe Argjentina. Ai vetë ka thënë se i ndodh shpesh që të ndërrojë ekipin që dëshiron të fitojë, jashtë zhvillimit të ndeshjes. Dhe kjo është që ta ndjekësh futbollin si një spektakël, pa asnjë paramendim dhe paragjykim. Do të doja edhe unë që të isha i tillë, por e kam të vështirë që të mos jem pasionant kur në fushë luan Gjermania. Megjithatë, kur kujtoj se si i përjetoja ndeshjet 20 vjet para, them se kam ndryshuar shumë. Tani e kam shumë të zhvilluar sensin e realizimit për të gjykuar drejt një ndeshje apo një skuadër, pavarësisht nëse kjo e fundit hyn në të preferuarat e mia apo jo.
Z. Berisha foli edhe për bastexhinj... Zakonisht vini baste?
Kam vënë për Gjermaninë kur mundi Anglinë një shumë modeste, të cilën e fitova. Por nuk ma mbajti që të njëjtën gjë ta bëja edhe në ndeshjen me Argjentinën.
Z.Patozi, të ndalemi pak tek fillim-ngjarjet që shënuan rrëzimin e diktaturës komuniste. Ato tashmë përkujtohen përmes mitingjeve që organizon PD-ja, por pse Qyteti Studenti si simbolikë e eksodit të shqiptarëve drejt Perëndimit?
Mendoj se simbolika është e qëlluar, pavarësisht se ai shesh nuk kishte lidhje të drejtpërdrejtë me ngjarjet e 2 korrikut. Por tek e fundit, ngjarjet e ambasadave i paraprinë vendosmërisht asaj lëvizjeje të madhe politike që u ngjiz fillimisht në Qytetin Studenti për tu shndërruar më pak në një uragan popullor, që në shumë pak kohë solli rrëzimin e diktaturës më të egër komuniste në Evropë. Askush nuk mund të mohojë faktin që ngjarjet e Qytetit Studenti nuk u zhvilluan as spontanisht dhe as në një terren djerrë. Në një farë mënyre, ato ishin rezultante të një vetëdije kombëtare që sa vinte e bëhej më evidente, e një revolte masive që sa vinte e maturohej, në kërkim të lirisë dhe dinjitetit njerëzor, të nëpërkëmbura nga diktatura. Ndaj edhe protestat e studentëve nuk mund të kuptohen pa sfondin e shpërthimit të ambasadave në korrik të 1990-s, si dhe të disa demonstratave të guximshme dhe qartësisht antikomuniste që ishin zhvilluar gjatë atij viti në Kavajë dhe në Shkodër.
Kryeministri Sali Berisha i propozoi Parlamentit ngritjen e një përmendoreje për 2 korrikun, "në nderim të djemve dhe vajzave që shkallmuan dyert e mbyllura të lirisë". Ku do të ngrihet kjo përmendore?
Mendoj se e rëndësishme është që përmendorja do të ngrihet dhe se ajo është një homazh i merituar për të gjithë ata shqiptarë që në ditët e nxehta të korrikut 1990 u bënë zëdhënësit dhe flamurtarët e shpirtit të një kombi drejt hapësirave të lirisë. Vendi, i cili mund të bëhet ose jo objekt debati, nuk besoj se ka vlerën e vullnetit për të përkujtuar dhe vlerësuar aktin e tyre të admirueshëm.
Me 2 korrik të 90-s, shqiptarët po kapërcenin muret e selive diplomatike në Shqipëri me një qëllim të vetëm: ikjen për në Perëndim. Në atë kohë ju ishit student. A u penduat që nuk kapërcyet atë mur...?
Zakonisht, përpiqem të mos e kthej kokën prapa, për të rishikuar copëzat e jetës sime në një këndvështrim të ri. E para se nuk kam shumë kohë, por më e rëndësishmja është se një gjë e tillë nuk shërben. Në këtë kuptim, zakonisht nuk kam pengje për të kaluarën dhe kam prirje për të shkuar përpara. Por ed