Peng në gjykim

Vetëm familjarët e viktimave protestojnë për vonesat, për shtyrjet e seancave, për arsyet tepër fyese të mungesave, si të mos kenë vdekur njerëz në Gërdec. Protestat e tyre mirëkuptohen dhe miratohen me hipokrizi
Nga Preç
Zogaj
Edhe këtë javë seanca gjyqësore për tragjedinë e Gërdecit u shty, sepse
mungonin disa avokatë. Nuk është hera e parë, as e dyta, as e treta. Qëkurse
Gërdeci ka ngritur siparin në gjykatë dhe po rreket të ritregojë copa-copa
historinë e shpërthimit të tmerrshëm, lajmi më i zakonshëm nga salla e gjyqit
ka qenë shtyrja e seancës.
Praktikisht, në rrotullimin e tretë rreth diellit të kësaj tragjedie, ku 26
njerëz gjetën një vdekje të llahtarshme dhe mbi dyqind të tjerë u plagosen, nuk
kemi ende asnjë fajtor. Gjykata, që mori në dorë para një viti dosjen e
prokurorisë, duket ende larg momentit kur do të tërhiqet për të marrë e
shpallur një vendim.
Shkaku kryesor i kësaj ngadalësie, përveç vështirësive të njohura që i vuan
mbarë sistemi i drejtësisë, janë padyshim shtyrjet e seancave. Njëherë mungojnë
avokatët, njëherë tjetër mungon një prokuror, pastaj disa dëshmitarë të
domosdoshëm, pastaj përsëri pesë avokatë, tre avokatë, katër avokatë...
Nuk e di a ka ndodhur, por fare mirë mund të ndodhë që kur të jenë të pranishëm
avokatët, prokurorët dhe dëshmitarët, të sëmurët njeri prej anëtarëve të trupit
gjykues dhe historia të përsëritet.
Vetëm familjarët e viktimave nuk mungojnë kurrë në seancë. Vetëm ata nuk kanë
punë tjetër për të bërë! Vetëm ata nuk i zë asnjë sëmundje pas tmerrit që kanë
parë e përjetuar. Ulen në karrige, mbushim me habi të përhershme sallën e
gjyqit.
Të duket se nuk mësohen dot kurrë me ngadalësinë e madhe të gjykimit në raport
me shpejtësinë e rrufeshme të flakëve që u vranë të afërmit; nuk mësohen dot me
ngenë e madhe të gjyqtarëve, prokurorëve dhe avokatëve, togat e të cilëve duken
si peceta të mëdha të një dreke që s'ka të sosur.
Vetëm familjarët e viktimave protestojnë për vonesat, për shtyrjet e seancave,
për arsyet tepër fyese të mungesave, si të mos kenë vdekur njerëz në Gërdec.
Protestat e tyre mirëkuptohen dhe miratohen me hipokrizi, por askush prej atyre
që e kanë për detyrë të reagojnë dhe të veprojnë nuk vepron. Shtyrja e seancës
së radhës parashkruhet kështu si në një përbetim të menduar, ku me përjashtim
të viktimave dhe të afërmve të tyre, të gjithë të tjerët do të dalin të fituar.
Kjo është farsa e Gërdecit në gjykatë, pasi është konsumuar si tragjedi në
terren. Ky është Gërdeci si tmerr pa fund, pasi është konsumuar si fund i
tmerrshëm në terren. Është e vërtetë se janë shumë të pandehur në kafazin si
balonë.
Janë shumë avokatë. Shumë dëshmitarë. Të gjithë këto dihen dhe ka qenë e
pritshme të ketë aty-këtu vonesa në gjykim; ka qenë e pritshme që drejtësia
shqiptare të mos jetë në lartësinë e drejtësisë amerikane që e ka dënuar prej
kohësh të pandehurin kryesor amerikan për Gërdecin shqiptar, Efraim Diverolin.
Por shtyrjet me motive banale si këto që janë regjistruar muajt e fundit, lenë
përshtypjen e sabotimit të qëllimshëm e të përllogaritur të procesit për të
nxjerrë përfitime për të pandehur të caktuar, me qëllim që dënimi i tyre të
quhet i përfunduar apo afër përfundimit ditën kur do të shpallet.
Me përjashtim të disa ushtarakëve, që nuk e kanë marrë vesh pse janë në atë
proces, nuk kemi parë e dëgjuar që për vonesat dhe shtyrjet të protestojnë edhe
të pandehur. Kuptohet se mungesa e përsëritur e avokatit nuk është një trill,
por është një gjest që realizohet në mirëkuptim me të pandehurin, që e paguan
këtë avokat. Pra, mungesa në këtë rast është pjesë e mbrojtjes, me qëllim uljen
dhe zbutjen e dënimit të klientit.
Avokati që mungon për këtë arsye është i përligjur në qëllimin e tij, por ai
nuk ka të drejtë të marrë zvarrë procesin, nuk ka të drejtë të lëndojë
familjarët që kanë humbur të afërmit dhe që kanë si ngushëllim të vetëm
drejtësinë, dënimin e fajtorëve sipas ligjit.
Si është e mundur që Gjykata, Dhoma e Avokatisë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë
apo Ministria e Drejtësisë pajtohen me marrjen peng në këtë formë të procesit
më të rëndësishëm të kësaj dekade, siç është ky i Gërdecit. Në mos dje, sot
pritej e pritet patjetër një qëndrim prej tyre. Për vetë rëndësinë dhe
gravitetin e rastit, nuk është e tepërt të prononcohet kreu i Ministrisë së
Drejtësisë.
T'u thuash familjarëve të viktimave se kështu e ka shteti i së drejtës, kështu
e ka ndarja e pushteteve është të tallesh me ta. Dhe jo vetëm me ta. Por me
mbarë shoqërinë shqiptare. Çdo çështje që shkon në Gjykatë ka të veçantën e
vet. Por Gërdeci është një thirrje e madhe në ndërgjegjen qytetare shqiptare.
Gërdeci është thirrja e të vdekurve atje. Gërdeci, realisht është "çështja
jonë", në kuptimin se na përket të gjithëve pa dallim. Heshtja e disa prej
të pandehurve apo dëshmitarëve për çfarë ka ndodhur në Gërdec para shpërthimit
zhurmon në sallën e gjyqit si një shirit filmi i fshirë.
Nuk është për tu çuditur që ata kanë menduar të "shesin" heshtjen në
shkëmbim të manovrave, premtimeve dhe llogarive që do t'i nxirrnin të pa lagur
ose me dënime minimale për pakujdesi dhe shkelje të rregullave të sigurimit
teknik.
Fakti që avokatët guxojnë për të disatën herë të dështojnë seancën dhe asnjë
masë nuk shohim të jetë marrë ndaj tyre, tregon se në këtë mes ka diçka më të
koordinuar.
Në një plan më të gjerë, ka një interes për degradimin, sfilitjen dhe
zgërlaqjen e Gërdecit deri në harrim nga opinioni i gjerë. Por, megjithëse i
lodhur dhe i mbingarkuar, opinioni publik shqiptar nuk mund ta arkivojë
Gërdecin pa u dhënë drejtësi për të.