Patozi: Kërkesat e opozitës, pretekst
12/05/2010 Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi, duke iu referuar gjashtë kërkesave të parashtruara nga opozita, vlerësoi se nuk mund të vihet shenja e barazisë mes ofertave të mazhorancës dhe “preteksteve apo retorikës që përpiqet të mbajë gjallë apo të ushqejë me oksigjen një kauzë që nuk ekziston”. “Kjo vorbull e krijuar këto muaj, po ashtu dhe greva e urisë, nuk kanë lidhje me transparencën, por është pjesë e axhendës politike personale të zotit Rama, i cili humbjen e tij po e përjeton sikur Shqipëria të kishte dalë nga një luftë civile më 28 qershor, dhe jo nga një proces normal e transparent”, tha Patozi. Sipas tij, kreu i PS-së po kërkon që me mjete radikale të arrijë atë që nuk arriti dot me zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ndërkohë, ai ka vlerësuar si të drejtë dhe pozitive deklaratën e Partisë Socialiste Evropiane.