Patozi: Komisioni do të ngrihet brenda javës
PD vazhdon të këmbëngulë në ngritjen e komisionit hetimor që do të rishikojë marrëdhëniet mes dy institucioneve, siç është qeveria dhe prokuroria. Kreu i grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi, ka konfirmuar se gjatë kësaj jave do të mblidhen 28 firmat për të ngritur komisionin hetimor parlamentar. Edhe pas kërkesave të vazhdueshme të ndërkombëtarëve, PD bën siç i thotë koka dhe nuk ndryshon qëndrim. Ky veprim pritet të sjellë edhe një përplasje brenda llojit, ku tashmë kanë dalë hapur disa deputetë që kërkojnë që të mos cenohet pavarësia e prokurorisë dhe të mos shkohet sërish në përplasjen e madhe qeveri-prokurori. Vlen të theksohet gjithashtu se është hera e tretë që Partia Demokratike konfrontohet me Prokurorin e Përgjithshëm. Pas përplasjes me Fatos Klosin, më pas me Theodhori Sollakun dhe tashmë me Ina Ramën, PD duhet të tregohet më e kujdesshme për të mos risjellë një luftë të ashpër institucionale, duke i bërë reformat me qetësi dhe duke anashkaluar përplasjet. Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, ka deklaruar se demokratët do të kërkojnë ngritjen e një komisioni hetimor për të hetuar përplasjen mes institucioneve të Prokurorisë, Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Brendshme. Por, pjesë e këtij hetimi nuk do të jetë organi i akuzës shqiptare, por një grup ekspertësh ndërkombëtarë, të cilët, pas përfundimit të punës së tyre, do të tregojnë nëse Fazliç ka lidhje me qeverinë shqiptare apo jo, ashtu siç ka deklaruar opozita. Duke u dhënë përgjigje edhe deklaratave të ambasadorëve të huaj në vendin tonë, të cilët kërkojnë nga Kuvendi që të mos ndikojë në punën e institucioneve të pavarura, Patozi shprehet se "nuk e lexoj në këtë mënyrë deklaratën e ambasadorëve, unë besoj se ne i kemi dhënë përgjigje edhe këtij shqetësimi me iniciativën tjetër të mazhorancës për ngritjen e një komisioni parlamentar, i cili do të hetojë përplasjen institucionale, e cila është e pakëndshme për këdo në Shqipëri, edhe për ne si mazhorancë". Kryetari i grupit të PD-së thekson se do të ngrihet një komision parlamentar, ku do të përfshihen të gjitha grupet politike të vendit, i cili mund të arrijë në përfundime të kënaqshme, që do të nxjerrin përgjegjësinë, por do të tregojnë dhe me gisht përgjegjësit. Sipas Patozit, "mazhoranca është e gatshme që të bëhet ky hetim ndërkombëtar dhe nuk ka frikë nga e vërteta".