E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beteja qeveri-prokurori, Mustafaj: Të ndërhyjë Topi

Fillon revolta në Partinë Demokratike. Përplasja qeveri-prokurori ndan në dy grupe demokratët, duke ndezur edhe polemikat e para që kritikojnë drejtpërdrejt qeverinë dhe mbështesin Prokurorinë e Përgjithshme. Pasi PD-ja i ka dhënë fund ‘peripecive‘ për shkarkimin e Theodhori Sollakut, pas dy viteve replikë, tashmë ndihet e frenuar përballë idesë për të shpallur luftë të hapur me pasuesen e tij, Ina Ramën. Dhe një gjë është e sigurt se, nëse kjo luftë fillon, s‘do të zgjas pak. Deputeti demokrat, Besnik Mustafaj, ka vendosur të dal hapur në mbrojtje të Ina Ramës, e cila njihet si e ‘preferuara‘ e Presidentit Bamir Topi. Duket se kjo është një ndër strategjitë që deputeti Mustafaj po ndjek për garën për kreun e degës së PD-së Tiranë, duke u pozicionuar në radhët e një tiranasi të vjetër, siç është Bamir Topi. Deputeti Mustafaj kërkon nga Presidenti i Republikës që të ndërhyjë për qetësimin e konfliktit mes qeverisë dhe prokurorisë. Duke i bërë një analizë konfliktit të hapur mes dy institucioneve kyç të vendit, siç është qeveria dhe prokuroria, Mustafaj e cilëson të rëndë një përplasje të tillë, duke nxitur kreun e shtetit të thotë fjalën e fundit në këtë betejë institucionesh.

Qëndrimi i Mustafajt

Ish-ministri i Jashtëm i kabinetit "Berisha", pohon se Partia Demokratike është e ndarë nga qeveria dhe për këtë duhet të ruajë marrëdhëniet me aleatët e mëdhenj. Mustafaj theksoi se PD nuk duhet të shkaktojë kosto për këtë përplasje institucionale.

"Berisha duhet të lexojë siç duhet kritikat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Evropian", u shpreh Mustafaj. Në deklaratën e tij, sekretari për marrëdhëniet me jashtë në Partinë Demokratike, njëkohësisht edhe anëtar i Kryesisë së PD-së, thekson se "konflikti i ditëve të fundit mes qeverisë dhe prokurorisë është një ngjarje e rëndë dhe që do analizuar me shumë kujdes, si nga klasa jonë politike ashtu edhe nga trupa jonë juridike". Mustafaj sqaron se nga ky duel i qeverisë me prokurorinë nuk ka të fituar. "Ka vetëm të humbur. Dhe humbësi më i madh është shteti ynë, i cili, edhe pa tensione të tilla, mbetet ende i brishtë në raport me standardet e demokracisë", tha ai. Mustafaj shtoi se "PD, si forca politike transformuese e Shqipërisë, dhe themeluesja e shtetit ligjor postkomunist, nuk mund t‘i lejojë vetes të konsumojë energji dhe imazh në beteja absurde dhe, për më keq, kundërproduktive në lidhje me zgjedhjet e ardhshme, të cilat kjo parti duhet t‘i fitojë". Mustafaj i është drejtuar Presidentit Topi që të ushtrojë kompetencat e tij si kryemagjistër i vendit, Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, për të siguruar uljen e këtij tensioni, që do të thotë të mbështesë edhe pavarësinë e Prokurorisë, në përputhje me Kushtetutën, edhe të ushtrojë kontroll që prokuroria ta kryejë me paanësi detyrën e saj. Nëse komisioni hetimor parlamentar do të synojë apo jo shkarkimin e Ina Ramës, Mustafaj theksoi se do të shikohet në thellësi, nëse është i nevojshëm ky komision apo jo, por, sipas tij, edhe nëse ky komision ngrihet, nuk mund të paragjykohet rezultati përpara kohe.

PD: Do dëgjojmë shqetësimin e SHBA dhe BE-së

Dueli qeveri-prokurori, i cili solli shqetësim te diplomatët e huaj në Tiranë, përzjeu edhe ujërat brenda Partisë Demokratike.

Besnik Mustafaj, si anëtar i mazhorancës parlamentare, ka ndjerë për detyrë të sigurojë dje se asgjë dhe askush nuk mund të pengojë reformat e ndërmarra në emër të modernizimit të vendit dhe të integrimit të tij në NATO dhe në BE. "Unë e mirëkuptoj shqetësimin dashamirës të këtyre miqve dhe i falënderoj për vëmendjen me të cilën ata e shoqërojnë procesin e forcimit të demokracisë në vendin tonë", tha ai. Mustafaj shtoi se "Partia Demokratike nuk mund të ndjehet e qetë duke parë shqetësimin që ky duel ka ngjallur si në opinionin publik të vendit, ashtu edhe te miqtë e mëdhenj të Shqipërisë, që janë SHBA dhe Bashkimi Evropian".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›