Topi fton në Shqipëri kryebashkiakun italian
Presidenti Bamir Topi ka vijuar edhe dje vizitën e tij në Itali. Kreu i shtetit është pritur nga kryetari i Bashkisë së Romës, Xhani Alemano dhe nga kreu i opozitës së majtë italiane, Sekretari kombëtar i Partisë Demokratike, Valter Veltroni, i cili shoqërohej edhe nga sekretari i Marrëdhënieve me Jashtë, deputeti Lapo Pisteli. Gjatë takimit me kryetarin e Bashkisë së Romës, Presidenti Topi ka shprehur vlerësimet maksimale për marrëdhëniet e tanishme me Italinë dhe për nivelin e shkëlqyer të tyre, duke vënë në pah edhe rëndësinë e shkëmbimit të vizitave të nivelit të lartë, që dëshmojnë në vazhdimësi për vullnetin e konsoliduar politik të rritjes dhe forcimit të tyre. Pasi ka bërë një pasqyrim të shkurtër të zhvillimeve dhe arritjeve kryesore në vend, Presidenti Topi ka theksuar se "Shqipëria me sigurinë dhe kornizën e përshtatshme ligjore është vend me mundësi të mëdha investimi, sidomos për investitorët italianë me financime direkte në projektet e infrastrukturës, të energjisë, shërbimeve publike, në krijimin e parqeve dhe zonave industriale, dhe në fushën aq premtuese të turizmit". Ndërsa gjatë takimit me kreun e koalicionit të së majtës italiane, Valter Veltroni, Presidenti Topi ka vënë në dukje faktin se "Italia është partneri kryesor strategjik politik dhe ekonomik i Shqipërisë dhe se për vetë historinë dhe raportet tradicionale mes popujve tanë, afërsinë gjeografike dhe lidhjet kulturore, marrëdhëniet bilaterale italo-shqiptare janë në një nivel të shkëlqyer në të gjitha fushat". Kreu i shtetit, pasi theksoi se "këto marrëdhënie do të thellohen akoma edhe më tej, sidomos në fushën ekonomike dhe shkëmbimet tregtare, shprehu besimin në kontributin e vyer politik dhe institucional të zotit Veltroni në drejtim të rritjes së mëtejshme edhe të bashkëpunimit parlamentar, ku Italia do të vazhdojë të ofrojë ndihmesën dhe përvojën e saj në përmbushjen e aspiratës integruese evropiane të vendit tonë".