Patozi: Plani i masave, po e bën qesharake opozitën

Kryetari i grupit parlamentar demokrat Astrit Patozi e ka cilësuar planin e masave për përballimin e emergjencës të paraqitur nga PS-së si fantazi e kreut të saj Edi Rama. Duke folur në seancën plenare të Kuvendit, Patozi theksoi se plani i PS-së është kundër banorëve të cilët kërkojnë ndihmë konkrete dhe jo fjalë boshe.
“Kuvendi nuk miraton plane, ne miratojmë ligje dhe vendime. Kanë qenë kongreset e Partisë së Punës që e bënin atë, ne miratojmë ligje dhe vendime, që u shkojnë në ndihmë e njerëzve të bllokuar”- theksoi Patozi, duke shtuar se plani i PS-së nuk është as ligj, as rezolutë, kjo e bën qesharake rolin dhe peshën e opozitës që është në kundërrymë.
Sipas tij, në kohë fatkeqësish kërkohej solidaritet e opozita në kohën që nuk ndihmon, së paku duhet të mos prishë punë.
“Në asnjë vend një opozitë normale nuk i ngatërrohet nëpër kembë një vendi në emergjencë. Njerëzit nuk ndihmohen në Twitter e as Facebook. Banorët nuk ndahen në të djathtë e të majtë. Ata njerëz pavarësish bindjeve kanë një kërcënim, borën dhe motin e keq, e kanë harruar për kë kanë votuar, por Rama përpiqet t`i ndajë në hallin e përbashkët, t`i fusë panikun me shpresë se ata do zemërohen me qeverinë” tha Patozi.
Sipas tij, Rama e ka bërë një gjë të tillë sa herë i ka ardhur rasti e nuk vë mend. “E bëri vjet pas përmbytjeve dhe përmbytjen e mori në zgjedhjet lokale. Të tillë përgjigje do të marrë gjithnjë politika e hijenës. Këtë politikë e përshkruan më së mirë patriarku i socialistëve, Agolli kur thotë se shikon tufa ujqërish në borë që kërkojnë vota dhe unë besoj këtë”- tha ai.
Patozi deklaroi se asnjë nuk kërkon nga opozita të bëjë sehir, ajo të mbajë shënim çdo defekt, të kërkojë llogari tani e më vonë, por ndërkohë të vërë një dorë për kapërcimin e situatës.