E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëbora, PS paraqet planin e masave në Kuvend

Pas një orë ndërprerje Kuvendi i Shqipërisë ka vijuar sërish seancën plenare ku Partia Socialiste ka prezantuar planin afatmesëm e afatgjatë të masave që sipas saj do ta nxjerrë vendin nga situata e shkaktuar nga bora në zonat veriore dhe verilindore të vendit.
 

Deputeti i Partisë Socialiste Erjon Braçe ka prezantuar sot planin e veprimit duke renditur të gjitha pikat e tij. Ai ka theksuar se fondet e alokuara nga qeveria janë të pamjaftueshme dhe qesharake. Ai ka akuzuar qeverinë për papërgjegjshmëri në menaxhimin e situatës dhe mungesë gatishmërie për t`iu gjendur pranë banorëve. Ai u bëri thirrje komuniteteve fetare që ato para që dje qeveria i ka kaluar në dispozicion t`i kalojnë në ndihmë të banorëve që gjenden sot në gjendje tragjike, të izoluar dhe pa ndihma.


Ja plani emergjent i PS-së:
 

• Identifikimi i kostove të emergjencës për mbajtjen hapur të rrugëve që lidhin komunat me njëra-tjetrën, fshatrat me njëri-tjetrin dhe fshatrat me komunat.
• Hapjen e rrugëve që lidhin qytetet me komunat dhe fshatrat, hapjen e rrugëve kombëtare.
• Kthimin në eficiencë të plotë të ujësjellësve
• Furnizim të menjëhershëm me ujë të qyteteve dhe komunave
• Furnizim të menjëhershëm me barna edhe për 2 muaj, si dhe mbajtjen hapur të të gjitha qendrave shëndetësore
• Furnizim me veshmbathje në fshat e qytet për dy muaj
• Furnizim të menjëhershëm me gaz, qymyr dhe dru për 3 muaj
• Furnizim me ushqim në sasi të mjaftueshme edhe për 3 muaj
• Identifikimin e kostove për dëmet në rrugë rurale dhe kombëtare, në rrugët e brendshme të qyteteve.
• Identifikimin e dëmeve të shkaktuara në rrjetin e kanalizimeve, të ujërave të bardha dhe të zeza.
• Identifikimin e dëmeve të shkaktuara në shkolla në qytet dhe në fshat.
• Identifikimin e dëmeve të shkaktuara në banesat e qytetarëve në qytet dhe në fshat.
• Identifikimin e dëmeve të shkaktuara në bagëti.
• Identifikimin e dëmeve të shkaktuara në bazën ushqimore të këtyre familjeve.
• Të alokohen grantet e planifikuara në buxhetin e shtetit për komunat dhe bashkitë në nevojë.
• Alokim i fondeve për ndërhyrje të menjëhershme
• Alokim i fondeve për ndihmën ekonomike në një masë të plotë 4-mujore.
• Alokim i fondeve shtesë për familjet që do bien në varfëri për shkak të dëmeve, në masë të plotë dhe të paktën për 4 muaj.
• Alokim i menjëhershëm i fondit të buxhetit të shtetit për ndërtimin e digave, për t’u paraprirë atyre fenomeneve që mund të ndodhin nga shkrirja e menjëhershme e borës.
• Alokim i menjëhershëm i fondeve operative për funksionimin e hidroforëve dhe kanaleve kulluese.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›