Meta i pafajshëm, Gjykata zbardh vendimin
TIRANE- Gjykata e Larte ka publikuar sot vendimin e plote mes te cilit shpalli te pafajshem kreun e LSI-se, Ilir Meta, ish numrin dy te qeverise, vene ne akuze per korrupsion aktiv dhe favorizim ne dhenien e koncensioneve pas publikimit te video pergjimit te ish ministrit te Ekonomise, Dritan Prifti. Ne faqen e saj zyrtare, Gjykata e Larte ka publikuar te plote vendimin e zbardhur.
Vendimi i plote
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, i caktuar me shortin e datës 11.05.2011 dhe 17.06.2011, i përbërë nga:
Ardian Dvorani Kryesues
Gani Dizdari Anëtar
Majlinda Andrea Anëtare
Arjana Fullani Anëtare
Guxim Zenelaj Anëtar
me pjesëmarrjen e sekretareve gjyqësore Brunilda Ago dhe Anisa Take, në seancën gjyqësore të datës 16.01.2012, mori në shqyrtim çështjen penale, e cila, sipas Regjistrit Themeltar të Gjykatës së Lartë, mban nr.8/1 të vitit 2011, me palë:
KËRKUES: PROKURORIA E PËRGJITHSHME E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, e përfaqësuar sipas udhërit të datës 24.01.2011 të Prokurores së Përgjithshme Ina Rama, nga prokurorët pranë kësaj Prokurorie, Bujar Sheshi dhe Anila Leka.
I PANDEHUR: Ilir Meta, i biri i Rexhepit dhe i Fiqiretes, lindur në Skrapar më 24.03.1969, banues në Rrugën Muhamet Gjollesha, Kulla nr.1, Tiranë, me shtetësi shqiptare, me arsim të lartë ekonomik, i martuar, deputet i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, i padënuar, në gjëndje të lirë, i mbrojtur nga avokatët Petrit Serjani dhe Gëzim Veleshnja.
I AKUZUAR: Për kryerjen e veprës penale të korrupsionit aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë, të parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal.
në përfundim të shqyrtimit gjyqësor të çështjes, pas vlerësimit të akteve të këtij procedimi penal dhe çmimit të provave të paraqitura nga palët e të pranuara për tu admnistruar prej saj, si dhe pasi dëgjoi qëndrimet e kërkesat e prokurorëve dhe ato të mbrojtësve të së pandehurit Ilir Meta,
V Ë R E N
- Me shkresën nr.260/170 prot., datë 09.05.2011 të Prokurorisë së Përgjithshme, është sjellë për gjykim në Gjykatën e Lartë procedimi penal nr.1, i vitit 2011.
2. Sipas kërkesës për gjykim, që mban të njëjtën datë (09.05.2011), i pandehuri Ilir Meta, deputet i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, i cili më parë ka ushtruar edhe funksionin e Zëvendëskryeministrit dhe njëkohësisht të Ministrit të Punëve të Jashtme e më pas atë të Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, akuzohet për kryerjen e veprës penale të korrupsionit aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë, të parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal.
3. Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, nisur nga funksionet politike dhe kushtetuese të sipërcituara të së pandehurit Ilir Meta, vëren se, jemi përpara një çështje penale për të cilën gjejnë zbatim dispozitat e pikës 1 të nenit 141 të Kushtetutës së Shqipërisë dhe të pikës 2 të nenit 75/b të Kodit të Procedurës Penale. Sipas këtyre dispozitave, Gjykata e Lartë ka juridiksion fillestar për gjykimin e akuzave (veprave) penale të ngritura, mes të tjerave, edhe kundër deputetëve dhe anëtarëve të Këshillit të Ministrave kur ata janë në këto funksione në kohën e gjykimit, sikurse është edhe i pandehuri Ilir Meta.
4. Duke patur parasysh se, mbështetur në dispozitat e pikës 2 të nenit 73 të Kushtetutës dhe të nenit 288 të Kodit të Procedurës Penale, për procedimin dhe ndjekjen penale të deputetit dhe anëtarit të Këshillit të Ministrave nevojitet që paraprakisht të kërkohet nga prokurori dhe të miratohet autorizimi për procedim nga ana e Kuvendit, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë verifikoi aktet dhe konstatoi se këto kërkesa të ligjës ishin plotësuar gjatë fazës së hetimit paraprak. Bazuar në kërkesën e paraqitur me nr.260/18 prot. të datës 11.02.2011 nga ana e Prokurores së Përgjithshme në kuadër të procedimit penal objekt i këtij gjykimi, Kuvendi i Shqipërisë, me vendimin nr.84 të datës 16.02.2011, ka dhënë autorizim për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetit Ilir Meta.
5. Kërkesa për gjykimin e çështjes e dërguar në Gjykatën e Lartë nga Prokuroria e Përgjithshme, krahas gjeneraliteteve të së pandehurit Ilir Meta, përmban parashtrimin e faktit dhe dispozitat përkatëse të ligjit penal material e procedural ku mbështetet, si dhe burimet e provës e faktet që ato u referohen.
Sipas kësaj kërkese për gjykim, në thelb, parashtrohet se në datën 12.01.2011, kryesisht, nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë është regjistruar procedimi penal nr.136, bazuar në një transmetim të datës 11.01.2011 të orës 20.10 të programit Fiks fare që shfaqet në televizionin kombëtar Top Channel. Në këtë program ishte shfaqur një regjistrim audioviziv, i bërë me një kamera të fshehtë, ku përmbaheshin biseda të kryera mes dy funksionarëve të lartë shtetërore, Dritan Priftit dhe Ilir Metës, deputetë dhe ish ministra, lidhur me emërime të paligjshme personash në institucione të ndryshme publike, si dhe për favorizime subjektesh në procedura ankandi e koncesioni, kundrejt përfitimeve materiale.
Pas kryerjes së veprimeve të para verifikuese, përfshirë edhe deklarimet e dhëna me kërkesën e vullnetin e tij nga shtetasi Dritan Prifti, ku ai sqaronte se ky regjistrim audioviziv ishte realizuar prej tij në datën 01.03.2010, në zyrën e tij të punës, për shkak të ndërhyrjeve, presioneve e kërkesave për favorizime të së tretëve nga shtetasi Ilir Meta, përfshirë edhe ato të fiksuara në regjistrim për favorizim të një subjekti për fitimin e garës koncesionare përkundrejt ofrimit të përfitimeve në shumën 700 mijë euro e 7% të aksione, si dhe përfitimin e 1 milion eurove për dhënien e një ankandi të shitjes së naftës bruto një subjekti tjetër, mbi dërgimin e akteve për kompetencë lëndore nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, Prokuroria e Përgjithshme në datën 24.01.2011 ka regjistruar procedimin penal nr.1 të vitit 2011 për veprat penale të korrupsionit aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë dhe të zgjedhurve vendorë, korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë dhe të zgjedhurve vendorë dhe të shpërdorimit të detyrës, të parashikuara nga nenet 245, 260 dhe 248 të Kodit Penal.
Gjatë hetimit paraprak, i pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale, shtetasi Dritan Prifti ka konfirmuar e detajuar dekarimet e dhëna më parë me vullnetin e tij, duke vënë në dispozicion si prova materiale mjetet me të cilat ishte realizuar regjistrimi audioviziv.
Këto prova i janë nënshtruar ekspertimit teknik nga një ekspert i profilizuar i fushës së informatikës ligjore pranë një kompanie amerikane me objekt vërtetësinë dhe autenticitetin e regjistrimit audioviziv. Sipas këtij ekspertimi, krahas shpjegimit mbi mjetet dhe mënyrën e regjistrimit dhe të shkarkimit në objekte të tjera, si dhe të faktit që ky regjistrim nuk gjendet më në orën kamera përgjuese (u gjet dhe u rekuperua një bisedë tjetër e fshirë), eksperti vjen në përfundimin se regjistrimi audioviziv është i pandryshuar në përmbajtjen audio e video, pra në zërin dhe figurën e bashkëbiseduesve, duke përgatitur edhe një kopje të filtruar të audios së kësaj bisede.
Mbi këtë bazë, në datën 09.02.2011, emri i shtetasit Ilir Meta është regjistruar në regjistrin e njoftimeve të veprave penale të Prokurorisë së Përgjithshme për procedimin penal nr.1 të vitit 2011. Rrjedhimisht, në datën 11.02.2011 i është kërkuar Kuvendit autorizimi për procedimin penal të deputetit Ilir Meta, kërkesë e cila është miratuar nga Kuvendi.
Bazuar në përmbajtjen video dhe në atë a