E Shtunë, 31 Tetor 2026

Patozi-Ruçit: Të ftojmë OSBE/ODIHR të asistojë reformën zgjedhore

TIRANË- Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike nëpërmjet nje letre zyrtare i ka bërë thirrje kreut të grupit parlamentar të Partisë Socialiste që të nisin pa humbur kohë punën për ngritjen e Komisionit Parlamentar për reformën zgjedhore.

Patozi ka njoftuar kolegun e tij opozitar Ruçi se, negociatorët e maxhoancës, të cilët do të merren me modalitet e këtij komisioni do jenë Oerd Bylykbashi dhe Viktor Gumi.

Duke vlerësuar se tashmë ka kaluar një muaj pas raportit përfundimatar të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet vendore të 8 majit në Shqipëri, Patozi i kërkoi kreut të grupit parlamentar socialist bashkëpunim që të përgatisin zgjedhjet e ardhshme.

“Një muaj pas daljes së raportit përfundimtar të OSBE/ODIHR-it për Zgjedhjet Vendore të 8 majit në Shqipëri, është koha më e përshtatshme që të nisim bashkarisht përpjekjet për një reformë zgjedhore cilësore, që të përgatisë si dhe kur duhet zgjedhjet politike të vitit 2013. Ne jemi të gatshëm që të nisim pa humbur kohë kontaktet në mënyrë që ky proces i rëndësishëm të marrë udhë sa më shpejt”.- vijon letra e Patozit.

Duke i ofruar garanci për gjithë procesin e reformës, Patozi i kërkon Ruçit që ti drejtohen OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias për asistim.

“Do të ishte në interesin e të dy palëve dhe të vetë procesit që ne t’u drejtoheshim me një ftesë të përbashkët OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias që ata të shqyrtonin mundësinë për të asistuar Komisionin Parlamentar të Reformës Zgjedhore në të gjitha etapat e tij”, -  thekson në letrën e tij kreu i grupit parlamentar të PD-së Astrit Patozi..

Patozi e mbyll letrën e tij me shpresën e një bashkëpunimi luajal midis palëve për këtë cështje.
(e.m/BalkanWeb) Lidhje te tjera Gjiknuri: PS gati, duam asistencën e OSBE/ODIHR VIDEO: Patozi-Rucit: Të ftojmë OSBE/ODIHR të asistojë reformën zgjedhore

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›