E Diel, 1 Nëntor 2026

Spahiu: Momentalisht kërcënohen dhe mbrohen 15 gjyqtarë, gati masat shtesë

16/09/2011  Nënkryetari i KLD-së jep alarmin për shtimin e rasteve të kërcënimeve

TIRANE-Nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, ka vënë alarmin lidhur me sigurinë e jetës së gjyqtarëve të vendit, ku ka lajmëruar se janë dhe 15 gjyqtarë të tjerë që kërcënohen dhe që momentalisht ruhen. Duke marrë shkas nga vrasja e gjyqtarit të Vlorës, Skerdilajd Konomi, Spahiu u ka bërë thirrje institucioneve shtetërore të zbardhin një orë e më parë autorët e krimit, si dhe të vënë në vend nderin dhe autoritetin e shtetit. Për këtë ngjarje ditën e sotme KLD-ja do të zhvillojë një mbledhje, ku do diskutohen masat që duhet të merren. Veç kësaj objekt i diskutimit do të jenë konkluzionet e inspektimeve në disa gjykata, si dhe proceset fiktive për ndryshimin e kombësisë. Sipas nënkryetarit Kreshnik Spahiu, KLD-ja duhet patjetër të shprehë qëndrimin e vet në lidhje me këtë çështje në veçanti, por dhe në përgjithësi në lidhje me situatën në përkeqësim të sigurisë së jetës së gjyqtarëve, e cila ditët e fundit ka pasur zhvillime të reja. “Në një vit e gjysmë, 10 kërkesa gjyqtarësh të kërcënuar rëndë për jetën e tyre janë marrë në shqyrtim nga komisioni i posaçëm për mbrojtjen e gjyqtarëve dhe aktualisht i ofrohet mbrojtje në total mbi 15 gjyqtarëve, raste të cilat për arsye sigurie janë mbajtur të fshehta, por që në ditët e sotshme duhet të vlerësohen në vlerësimin e përgjithshëm të situatës”, tha Spahiu. Por paralelisht me apelin për jetën e gjyqtarëve, numri dy i KLD-së, nuk mohoi se mes trupës së gjyqësorit, ka edhe nga ata të papërgjegjshëm, të cilët japin vendime edhe kur janë jashtë vendit. Një fakt të tillë ai e vuri në dukje si rezultat i përfundimit të inspektimeve në disa gjykata. Zv/kryetari i KLD-së theksoi se ishte tepër i kënaqur nga rezultatet e këtyre inspektimeve, të cilat kanë arritur të bëjnë dallimin mes situatave dhe rezultateve negative, të cilat nuk varen nga gjyqtarët, po në mënyrë të padrejtë i faturohen gjithë sistemit gjyqësor. Ato raste kur një pjesë e paaftë dhe e papërgjegjshme e sistemit gjyqësor zhvillon gjykime, ndërkohë që ata janë jashtë Shqipërisë, i faturohen të gjithë gjyqtarëve papërgjegjshmëritë e tyre dhe njollosin gjithë performancën e gjyqësorit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›