“21 Janari”, Grupi parlamentar socialist homazhe para Kryeministrisë
Partia Socialiste do të kujtojë sot 6-mujorin e demonstratës së 21 Janarit, ku humbën jetën 4 demonstrues, si dhe u plagosën disa të tjerë. Në funksion të kësaj dite selia rozë ka thirrur një mbledhje të posaçme të grupit parlamentar, ku natyrisht pritet dhe një qëndrim zyrtar për atë ngjarje dhe moszbardhjen e të vërtetës së vrasjes së katër demonstruesve. Megjithëse nuk bëhet e ditur axhenca e kësaj mbledhje, burime pranë grupit kanë bërë të ditur se ajo mund të shërbejë thjesht si një takim nga ku do të nisin homazhet që deputetët socialistë do të bëjnë në vendin ku u vranë katër demonstruesit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” para Kryeministrisë. Kështu është vendosur që gjatë këtyre homazheve që do të jenë simbolike për mosharimin e kësaj ngjarjeje, deputetët socialistë do të vendosin kurora dhe buqeta me lule në nderim të katër viktimave që humbën jetën në demonstratën e 21 Janarit. Ndërkohë që grupi pritet të diskutojë edhe për përcaktimin e kësaj ngjarjeje si një nga çështjet për të cilën opozita duhet të protestojë. Grupi parlamentar socialist mblidhet për herë të parë që pas vendimit që mori në fund të muajit maj, ku dhe vendosi bojkotimin e jetës parlamentare deri në përfundimin e procesit zgjedhor.