Patozi i shkruan Ruçit: Gati të takohemi për të eksploruar mundësitë e zgjedhjes së një presidenti me konsensus
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demkratike, Astrit Patozi, i mandatuar për të negociuar për zgjedhjen e presidentit, i ka dërguar një letër homologut socialist, Gramoz Ruçi. Në letër Patozi e fton Ruçin për të negociuar për presidentin e ri.
Siç të gjithë e dimë, dje nisi procedura e zgjedhjes së Presidentit të ri të Republikës. Partia Demokratike, si forca kryesore e mazhorancës qeverisëse, e konsideron këtë si një moment solemn, jo vetëm për politikën, por për mbarë publikun shqiptar. Në filozofinë tonë, zgjedhja e Presidentit duhet të shërbejë për ngritjen në një nivel të ri të komunikimit mes forcave politike, por edhe për ngritjen në një stad të ri të emancipimit të shoqërisë sonë demokratike.
Në këtë kontekst, ne jemi të prirur për një proces, sa transparent, aq edhe të qytetëruar, sa gjithpërfshirës, aq edhe serioz e kushtetues, i cili të nderojë secilin prej nesh dhe atë që ne përfaqësojmë.
Duke e konsideruar zgjedhjen e Presidentit të Republikës si një çështje që u takon ta zgjidhin në radhë të parë faktorët parlamentare, Partia Demokratike më ka mandatuar mua së bashku me zotin Edmond Spaho si negociatorë për tu konsultuar me përfaqësuesit e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste për të eksploruar të gjitha mundësitë e zgjedhjes së kreut të ri të shtetit me një konsensus sa më të gjerë. Për këtë qëllim, ne jemi të hapur, që duke filluar nga nesër paradite, të takohemi me negociatorët Tuaj në ambjentet e Kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë, në ditën dhe kohën që Ju e gjykoni të përshtatshme. Në pritje të një përgjigje nga ana Juaj, gjej rastin tJu shpreh konsideratën time më të lartë, thuhet në letër.