Projekti i Kuvendit, PS: Fituesi u paracaktua, Topalli: Është shpifje
Partia Socialiste ka akuzuar dje në mënyrë të drejtpërdrejtë kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, se ka paracaktuar fituesin e konkursit të projektit për kompleksin e ri parlamentar. Akuzë kjo, që nga selia rozë bazohet pikërisht në artikullin e botuar në gazetën austriake “Wienner Zeitung”, të datës 12 mars 2011, ku autori e bënë fakt të kryer se, Parlamenti i ri shqiptar do të ndërtohet sipas projektit të arkitektit austriak, Wolfgang Prix. Ka qenë deputeti socialist, Taulant Balla, ai që duke iu referuar këtij artikulli ka theksuar se konkursi i zhvilluar nga Kuvendi i Shqipërisë, për përzgjedhjen e projektit fitues, ka qenë një farsë, pasi fituesi ka qenë shpallur që më parë. “Fituesi i këtij konkursi ka qenë i paracaktuar, shpenzimet për këtë konkurs ndërkombëtar janë para të hedhura dëm, ashtu siç janë çuar dëm 2 milionë euro për transformimin e piramidës dhe 700 mijë euro për sallën e parlamentit. Këto janë vepra të pastra korruptive, vjedhje dhe kusari. Zonja Jozefinë mban tashmë përgjegjësi penale dhe duhet të japë llogari përpara ligjit”, - u shpreh Balla në një dalje të posaçme për mediat. Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i institucionit të Kuvendit, i cili nëpërmjet një deklarate për mediat, të publikuar në faqe në internet, hedh poshtë si shpifje gjithçka deklaroi deputeti socialist, lidhur me këtë projekt. “Kryetarja e Kuvendit gjen rastin të informojë publikun se, deklarata e radhës së zëdhënësit të shokut Rama, është një gënjeshtër fund e krye, jo vetëm në çdo fjali, jo vetëm në çdo fjalë, por në çdo germë dhe shifër të saj”, - thuhet në këtë deklaratë. Më tej, Kuvendi sqaron se çdo hap i ndërmarrë për të celebruar 100-vjetorin e themelimit të Shtetit Shqiptar, me të parën godinë të Parlamentit të ndërtuar ndonjëherë në këtë vend, është bërë në transparencë e respekt të plotë të vendimeve të marra dhe nga Komiteti Shtetëror, për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar, ku bën pjesë edhe kryetari i PS-së, Edi Rama, si dhe kryetari i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi. Për të sqaruar edhe opinionin publik mbi këtë tymnajë të ngritur nga PS, Kuvendi i Shqipërisë ka botuar të përkthyer në shqip artikullin nga dhe kanë marrë spunto akuzat përkatëse.