Paul Ryan premton kthesë

Ryan i bëri komentet në fjalimin që mbajti me rastin e pranimit të emërimit të partisë së tij në Tampa, Floridë.
Në fjalimin e tij në Kuvendin Republikan, kandidati për nënpresident Paul Ryan, i cili iu bashkua dyshes republikane vetëm dy javë e gjysmë më parë, tha se përshtypja e tij është se nuk ka parë ndonjëherë kundërshtarë kaq të dëshpëruar për të qëndruar në pushtet.
Siç pritej, Ryan kritikoi ashpër Presidentin Obama, duke thënë se administratës i janë shterur idetë dhe se ajo që atyre u ka mbetur tani janë frika dhe përçarjet.
Ryan tha se Presidenti Barack Obama erdhi në Shtëpinë e Bardhë gjatë një krize ekonomike dhe se kjo duhet pasur parasysh. Por ai tha se Obama nuk i mbajti premtimet.
“Sot, 23 milionë burra dhe gra përpiqen të gjejnë punë. Janë 23 milion njerëz të papunë ose gjysmë të papunë. Një në çdo gjashtë amerikanë jeton në varfëri. Miliona të rinj amerikanë kanë mbaruar Universitetin gjatë presidencës Obama, por gjysma e tyre nuk gjejnë dot punën për të cilën kanë studiuar ose punë të çfarëdoshme”, tha ai.
Ryan kritikoi ligjin e kujdesit shëndetësor të miratuar gjatë mandatit të Presidentit Obama. Ai tha se vendi hyri në një përpjekje të gjatë dhe përçarëse për ta vënë qeverinë federale në kontroll të kujdesit shëndetësor.
“Ligji për kujdesin shëndetësor ka më shumë se dy mijë faqe rregulla, mandate, tatime, pagesa dhe gjoba që nuk duhet të ekzistojnë në një vend të lirë”, tha Ryan.
Ai tha se megjithëse Presidenti ka deklaruar se debati rreth këtij ligji ka marrë fund, këtë nuk do ta pranojnë miliona amerikanë që do të zgjedhin Mitt Romneyn, në mënyrë që ky ligj të anulohet.
Ryan foli edhe për marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me vendet e tjera dhe tha se një administratë Romney-Ryan do të flasë me besim dhe me qartësi për këtë çështje. Ai tha se kurdoherë që njerëzit në vende të tjera të ngrihen në këmbë për lirinë e tyre, ata do ta dinë se presidenti amerikan është në anën e tyre.
Për politikën e jashtme folën edhe senatori John McCain, ish-kandidat republikan për president dhe Condoleezza Rice, ish-sekretare e shtetit në administratën e presidentit Bush.
Për Rice, po flitet gjithnjë e më shpesh se ajo mund të ketë një rol në administratën e Romneyt, nëse ai zgjidhet president. Në fjalimin e saj, të cilin e mbajti pa ndihmën e tele-prompterit, Rice kritikoi administratën duke thënë se ajo nuk është në gjendje të jetojë brenda mundësive të saja, por vazhdon të marrë borxh para që do t’i faturohen së ardhmes së brezave të tjerë.
“Bota e kupton se kur një vend humbet kontrollin e financave, ai më në fund humbet kontrollin e fatit të tij. Kjo nuk është Amerika që ka frymëzuar popujt e tjerë për ta ndjekur në rrugën e saj”, theksoi Rice.