Ruçi: Pse su mbrojt dëshmitari kryesor?
Tiranë- Partia Socialiste ka reaguar sërish sot për ngjarjen e ndodhur një ditë më parë, kur u gjet pa jetë biznesmeni Kosta Trebicka. Përmes një deklarate për shtyp, deputeti socialist Gramoz Ruçi ka shprehur mbështetjen maksimale për pokurorinë në hetimet për ngjarjen dhe ka numëruar një varg pyetjesh që lënë dyshime të hapura për vdekjen e Trebickës.
“Qeveria nuk mund të mjaftohet me publikimin e disa të dhënave sporadike e të paplota të ekspertizës, por duhet të sqarojë publikun për këto çështje:
1. A ishte Kosta Trebicka njeriu kurajoz, që itha Shqipërisë një të vërtetë të frikshme, viktimë e ligjit të zi mafioz që thotë: KUSH FLET VDES?
2. Pyesim: Përse nuk po flet Kryeministri? Përse po hesht njeriu direkt i akuzuar për përfshirje në skandal? Çfarë po i mbyll gojën njeriut që flet për gjithçka e për çdo gjë?
3. Pyesim: Kush ishte i interesuar të mbyllej kjo gojë? Kush ishin kërcënuesit e tij?”- ka thënë Ruçi.
Ai ka përsëritur se PSSH nuk mund të fajësojë askënd për këtë vdekje tragjike. Por ka theksuar se njeriu që ka vdekur në mënyrë misterioze është një dëshmitar i rëndësishëm në çështjen e trafikut të municioneve që organizoi kjo qeveri. Dëshmia publike e qytetarit të mirë Kosta Trebicka, cenoi drejtpërdrejtë qeverinë e Sali Berishës, për këtë arsye kjo qeveri ia ka borxh publikut të gjerë sqarimin e rrethanave të vdekjes së tij.
“Sali Berisha duhet të sqarojë shqiptarët e jo të heshtë. Heshtja e vendos atë automatikisht në konflikt interesi më të gjithë këto ngjarje të rënda për Shqiptarët. Edhe pse është i atakuar për ndërhyrje apo përfshirje në këto çështje, Sali Berisha ia ka borxh shqiptarëve sqarimin e veprimeve dhe mosveprimeve të tij dhe të qeverisë së tij në gjithë këto çështje”- tha ai.