Pavarësia, Berisha takohet me presidentin e PPE-së
Tiranë- Kryeministri Berisha ka zhvilluar sot një takim me Presidentin e Partive Popullore Europiane, Wilfred Martens, i cili ka marë pjesë në festimet e Shqipërisë për 100- vetorin e Pavarësisë.
Berisha e ka cilësuar ardhjen e tij si në këtë festë të rëndësishme si një nder për vendin tonë. Ndërsa Martens uroi kryeministrin për 100 vjetorin e pavarësisë dhe e falenderoi për ftesën. Ai theksoi se kjo vizitë ishte një vlerësim për bashkëpunimin e gjatë në kuadrin e PPE-së.
Kryeministri Berisha i bëri zotit Martens një ekspoze të shkurtër të zhvillimeve historike që kanë shënuar këtë 100 vjetor të pavarësisë së Shqipërisë dhe theksoi se tashmë shqiptarët, kudo ku janë, janë të lirë dhe të vendosur për ndërtimin e të ardhmes së tyre europiane. Kreu i qeverisë u shpreh se ky përvjetor ka shënuar një proces të rishkrimit të historisë mbi bazën e të vërtetave historike, gjë që po vë në vendin që i takon këto të vërteta dhe figurat historike që kanë themeluar dhe konsoliduar pavarësinë dhe shtetin shqiptar gjatë këtij shekulli. Ai tha se bashkëpunimi në kuadër të PPE-së është një instrument i shkëlqyer për avancimin e këtij objektivi madhor.
Më tej, Berisha dhe Martens diskutuan mbi hapat e mëtejshëm të integrimit të Shqipërisë në BE, për të cilën Shqipëria gëzon mbështetjen e PPE-së.
/IDEA/
Na ndiqni në: @GazetaIdea në Twitter/Gazeta Idea (Faqja Zyrtare) në Facebook
Ndani me ne komentet tuaja: