E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Hungaria mbështet anëtarësimin e Shqipërisë në BE”

29-11-2012 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha takon homologun e tij hungarez, Viktor Orban
 
“Hungaria mbështet fuqimisht perspektivën evropiane të Shqipërisë”. Kështu u shpreh dje në Tiranë, kryeministri hungarez, Viktor Orban gjatë takimit me kryeministrin Sali Berisha.
Orban ndodhet në Shqipëri, me ftesë të kryeministrit Berisha për të marrë pjesë në festimet e 100 vjetorit të pavarësisë. Kreu i qeverisë shqiptare i shprehu homologut hungarez mirënjohjen më të thellë për pjesëmarrjen e tij në këtë ditë të shënuar për mbarë kombin shqiptar.
Kryeministri vlerësoi miqësinë shekullore mes dy popujve, duke i cilësuar betejat e përbashkëta të prijësve të të dy vendeve, Skënderbeut dhe Huniadit si thesare të çmuara për të dy kombet tona. Kryeministri tha se vizita e mikut të shquar të kombit shqiptar Viktor Orban është një kontribut i rëndësishëm në forcimin dhe thellimin e mëtejshëm të kësaj miqësie, si dhe të bashkëpunimit në shekullin tjetër të pavarësisë dhe qindra viteve që vijnë.
“Dua të theksoj këtu se lidhjet midis dy kombeve dhe prijësve tanë janë shekullore. Lidhjet e Skënderbeut me Huniadin dhe betejat e tyre të përbashkëta për liri, janë një thesar i çmuar, për të dy kombet tona. Shqiptarët duhet ta dinë se në tokën hungareze, 100 vjet më parë u mor vendimi ndërkombëtarë për Pavarësinë e Shqipërisë, u mor në kështjellën e Sekretarit të Shtetit Kontit Hadik, Sekretar Shteti i Perandorisë Austro-Hungareze, i cili organizoi edhe takimin në kështjellën e tij me ministrin e jashtëm të perandorisë duale Bertot. Më vonë Mbreti ynë Zogu I, pati fatin e madh të ketë ai për bashkëshorte dhe shqiptarët për mbretëreshë Geraldinë  Aponi, konteshën deshendente e njërës prej familjeve me te shquara hungareze. Viktor Orban është një mik i shquar i kombit tonë, por kjo vizitë e bën edhe më të madhe këtë miqësi, këtë mirënjohje dhe bashkëpunimin tonë në shekullin tjetër të pavarësisë dhe qindra viteve që vijnë”, u shpreh kryeministri Berisha.
Nga ana e tij, kreu i qeverisë hungareze, Viktor Orban pasi uroi 100 vjetorin e pavarësisë, solli në vëmendje miqësinë e hershme mes dy kombeve dhe përpjekjet e përbashkëta për liri dhe pavarësi.
Kryeministri Orban deklaroi gjithashtu se vendi i tij dëshiron ta shohë Shqipërinë vend anëtar të Bashkimit Evropian.
“Ne nuk mendojmë vetëm për kohën që ka ikur por edhe për të ardhmen në këto momente. Në takimin që kishim me Kryeministrin i shpreha edhe Kryeministrit tuaj se Hungaria në bashkëpunim me Shqipërinë e shikon të ardhmen dhe ne mendojmë se do të jetë një Evropë, ku edhe Shqipëria dhe Hungaria të jenë të anëtarësuar”, tha ai.
Orban vlerësoi progresin e Shqipërisë gjatë 20 viteve, duke shprehur superlativa për progresin ekonomik.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›