E Diel, 1 Nëntor 2026

Pavarësia e Kosovës dhe naiviteti serb

Duket se çështja që ka pushtuar më shumë se çdo gjë tjetër mendjet e ballkanasve por edhe të njerezve kuriozë nga gjithë bota është çështja e Kosovës. Ekuacioni më i vështirë për tu zgjidhur në këtë vit mbetet përcaktimi i statusit final të saj. Do t`i shtohet një shtet i ri OKB-së, apo do të vazhdojë të jetë një tokë e varur me autonomi të zgjeruar. Po ti referohemi deklaratave të Grupi të Kontaktit dhe shumë analistëve evropianë do të shohim se Kosova nuk do të kthehet para vitit 1999. Cka do të thotë se kosovarët do të jenë te lirë dhe vendi i tyre i pavarur. E kushtëzuar apo jo Kosova do të ketë pavarësinë e dëshiruar. Por çështja e Kosovës nuk ka pushtuar vetem mendjet por dhe axhendën politike të politikanëve kosovarë, serbë si dhe të perëndimorëve. Është për tu habitur sepse kjo çështje prodhoi dhe një klasë të re politike, atë të serbëve dhe komuniteteve të tjera në Kosovë. Kjo klasë politike kohët e fundit ka filluar të aktivizohet vetë dhe të luajë vetë rolin vendimtar. Në një farë mënyre të gjithë duan të marrin një pjesë nga torta që do pritet.
Para disa ditësh grupi negociator i Kosovës (përpara se të shkonte për takimin e radhës në Vjenë) preferoi të dëgjonte kërkesat e pakicave. Dhe për këtë u zgjodh një hotel në Durrës një qytet bregdetar në Shqipëri. Dhe si asnjëherë më parë përvç, turqve, ashkalinjve dhe romëve në këtë takim merrnin pjesë edhe përfaqësuesit e pesë partive politike të serbeve të Kosovës. Armiqtë shekullorë tani qëndronin krah për krah në një tavolinë dhe diskutonin të ardhmen e përbashkët. Kisha menduar se një takim tillë mund të zhvillohej në një vend asnjanës. Por jo, ky takim u zhvillua në Shqipëri pikërisht në tokën mëmë nga ishte shkëputur Kosova dhe shumë vise të tjera. Kjo gjë nuk mund të vertëtonte asgjë tjetër vec asaj që tashmë serbët duhet ta kenë kuptuar se çpo ndodh me atë që deri tani ata e kanë quajtur pjesë të Serbisë. Tashmë ata po kërkojnë të vendosin një mënyrë bashkjetese jo vetëm me shumicën e popullsisë por edhe me fqinjin Shqipëri.
Lidhur me statusin final janë shprehur shumë vende mes të cilave kishte edhe nga ata që mendonin se Kosova nuk duhet të jetë e pavarur. Edhe Serbia zyrtare tashmë e ka kuptuar se për Ish-Jugosllavinë nuk ka më kthim mbrapa. Kosova dhe tokat e saj pjellore nuk do tiu përkasin më atyre. Ky është fundi i një procesi disavjçar. "Perandorisë"Jugosllave, një nga një ju shkëputën të gjitha tokat duke formuar shtete më vete. Së fundmi edhe Mali i Zi më 21 Maj do të vendosi të ndahet më vete. Ndërsa pavarësia e Kosovës me një process më të vështirë deri në fund të vitit 2006 do ti japë fund ëndrrës së Serbëve për të zotëruar Ballkanin. Ndëkaq në klasën politike serbe kanë filluar diferencimet. Një pjese ka filluar të pranojë pavarësinë, ndërsa pjesa tjetër sidomos ata që janë në pushtet po luajnë lojën e tyre të fundit. Nuk duan ta pranojnë zhgënjimin e elektoratit "Ne u munduam shumë ta ruajmë Serbinë të mos ndahet, por nuk ishte në dorën tonë”.
Ajo çka është e rëndësishme, më në fund politika shqiptarë u zgjua nga gjumi letargjik, pati guximin të shprehet për statusin e saj dhe të ngrejë zërin për "bijën e Shqipërisë”, Kosovën. Edhe pse deklaratat e Numrit Një të Diplomacisë shqiptare morën shumë kritika nga analistë vendas e të huaj, kosovarët u gëzuan sepse e ndjenë se nuk janë vetëm në këtë çast të vështirë. Zhvillimet e bisedave deri tani kanë kaluar mirë por sa më shume të thellohesh dhe të afrohesh afër finalit aq më e vështirë do të jetë. Të gjithë e dimë që proçesi do të jetë I vështirë port ë fund Kosova do të jetë e lirë. Le të shpresojmë se do të bëhet më e mira.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›