Pavarësia e Kosovës, ndërkombëtarët: Vendimi i Hagës, jo efekt negativ
Procesi i ligjshmërisë së shpalljes së pavarësisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, sipas diplomatëve dhe njohësve të së drejtës ndërkombëtare, nuk do të ketë ndikim negativ në statusin politik të Kosovës. Diplomatë, njohës të së drejtës kushtetuese dhe asaj ndërkombëtare kanë vlerësuar në një tryezë në Prishtinë, se procesi i ligjshmërisë së shpalljes së pavarësisë së Kosovës në Hagë, nuk do të ketë ndikim negativ në njohjet e mëtejshme të pavarësisë së vendit. Ish-ministri i Jashtëm i Sllovenisë, Dimitri Rupel, vlerësoi se ky proces nuk do të ndikojë në fatin e Kosovës e as nuk do ta dëmtojë shtetin e ri. "Është një situatë e re për ta shmangur ashpërsinë e konfliktit, është një situatë në të cilën palët e përfshira po e largojnë tërë problemin nga arena politike në një nivel shumë më pak të rrezikshëm". "Përsa i përket rezultatit, nuk mund të spekuloj, por supozoj se nuk do të jetë i dëmshëm për Kosovën", tha Rupel, për të shtuar se "pavarësia dhe shtetësia e Kosovës janë të pakthyeshme". Ndërkaq, ekspertët e së drejtës ndërkombëtare konsiderojnë se Kosova nuk do të humbasë asgjë në procesin e ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Akademiku Esat Stavileci thotë se shqyrtimi i ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës nuk do t'i sjellë asgjë të keqe vendit. Ai nënvizoi se përfaqësuesit e Kosovës në GJND i kanë prezantuar në mënyrën e duhur faktet për shpalljen e pavarësisë. Sipas tij, pavarësia e Kosovës është në përputhje me gjithë procesin politik. ndërsa njëri nga hartuesit e Kushtetutës së Kosovës, njëherësh ministër i Administratës Publike, Arsim Bajrami, tha se avokatët e palës kosovare në GJND, në krye me Michael Ëood-in, po argumentojnë pavarësinë e Kosovës me fakte vendore dhe ndërkombëtare.