E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dritan Minxholli:Akuza: Shpëtim Spahiu urdhëroi ngritjen e fabrikës së Gërdecit

Për herë të parë, Dritan Minxholli përmend emra konkretë si urdhërues të ngritjes të fabrikës në Gërdec. Sapo ka filluar seanca e djeshme, Minxholli fillimisht ka hedhur poshtë dëshminë e ish-rojës Beqir Prini se punimet kishin nisur në shkurt të vitit 2007, duke deklaruar para togave të zeza se punimet për ngritjen e fabrikës kishin nisur më 29 maj të 2007 nga SAC-Albademil dhe se vetë ish-gjenerali Shpëtim Spahiu kishte dhënë urdhër për ngritjen e fabrikës. Minxholli vazhdon me dëshminë e tij se shefi i Shtabit të Përgjithshëm i asaj periudhe, Luan Hoxha, kishte qenë në dijeni të aktivitetit të demontimit të municioneve në Gërdec dhe madje në qershor të po atij viti kishte inspektuar punimet e fabrikës. Madje, Minxholli ka vijuar më tej duke theksuar se në vazhdim do të dalin në dritë edhe emrat e përgjegjësve kryesorë të kësaj tragjedie. Më pas, gjykata vijoi me pyetjen e disa dëshmitarëve, ish-punonjës të fabrikës, të cilët dhanë versionin e tyre mbi punën në fabrikë, kushtet e sigurisë aty dhe gjithçka mbanin mend nga dita e shpërthimit. Por, ndërsa dëshmitë pasonin njëra-tjetrën në sallën e gjyqit, Beqir Prini ka konfirmuar edhe njëherë për “standard” dëshminë që kishte dhënë para togave të zeza, duke përmendur se kishte edhe një dëshmitar tjetër që vërtetonte thëniet e tij dhe që kishin punuar bashkë si rojë. “Unë kam filluar punën në shkurt në fabrikë dhe kam ndenjur për afro 7 muaj si roje. Më pas jam larguar, por në fabrikën e vdekjes kam pasur të punësuar 5 anëtarë të familjes. Nuk mundet të më mohojë Minxholli që fabrika është hapur në muajin shkurt, pasi nuk më kundërshtoi asnjë fjalë dhe nuk më pyeti asgjë rreth atyre që dëshmova ditën që jemi përballur për herë të parë pas tragjedisë në sallën e gjyqit”, - është shprehur ish-roja i fabrikës, Prini, i cili nga tragjedia e 15 marsit pati jo vetëm dëme materiale, por gruaja iu plagos rëndë dhe për dy muaj ka qenë në luftë mes jetës dhe vdekjes, humbi jetën nusja e djalit, Zelie Feti, ndërkohë që djali dhe vajza iu plagosën. “Kur ndodhi shpërthimi mendova më të keqen, mendova se kisha humbur 5 anëtarët e familjes që punonin në fabrikë dhe 5 persona që ndodheshin në shtëpi, përballë fabrikës. Mirëpo, fati i keq kishte qenë vetëm për nusen e djalit tim, trupi i së cilës u gjet vetëm pas 17 ditësh në ambientet e fabrikës”, - rrëfen Prini. Ish-roja na rrëfen edhe mbi punën në fabrikë, kushtet e sigurisë teknike gjatë kohës që ai punonte aty. “Amerikanët kanë qenë shumë të rregullt, nuk lejonin asnjëherë që baruti të grumbullohej në ambientet e fabrikës, ndërkohë që punonin edhe vetë duke ndenjur gjatë gjithë kohës me zorrën e ujit në dorë. Ndërkohë që baruti i grumbulluar dërgohej te magazinat që ndodheshin 200 m larg fabrikës. Ndërkohë që nga sa më tregonin pjesëtarët e familjes, pas ikjes së amerikanëve, në fabrikë nuk mund të shihje të njëjtat kushte sigurie. Kontenierët me barut mbaheshin pranë fabrikës, jo më në magazinat larg fabrikës. Ndoshta po të transportoheshin sërish atje, do të evitohej kjo tragjedi e madhe”, - vijon rrëfimin Beqir Prini. Më tej, ai na tregon diçka edhe për momentin e shpërthimit, duke u shprehur se “isha në shtëpinë e re që po ngrija kur dëgjova shpërthimin e parë. U nisa drejt fabrikës, por turmat e njerëzve që vraponin më shtynë drejt rrugës kryesore në autostradë. Predhat na kalonin mbi kokë si re shiu. U futëm poshtë një ure dhe po rrinim aty kur ndodhi shpërthimi i dytë. Ramë mbi njëri-tjetrin. Disa mbetën të plagosur. Një taksi më mori më çoi në spital. Nuk dija kush më kishte mbetur gjallë. Vetëm telefonatat e tim biri dhe vajzës më sollën në vete. Ajo ditë edhe sot na ka lënë me trauma”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›