E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pavarësia e Pushtetit Lokal, Poni: Prioritet i Qeverisë

Prioritet i qeverisë shqiptare mbetet pavarësia e pushtetit lokal, prioritet i cili deri më tani Shqipëria po e përmbyll me sukses.

Deklarata është bërë nga zv.ministri i Brendshëm, Ferdinand Poni në mbledhjen e Byrosë së Kongresit Europian të Autoriteteve Lokale e Rajonale, i cili vec këtij misioni tha se përparësi drejt integrimit është lufta me tolerancë zero ndaj krimit.

Ndërsa kreu i bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha tha se është i hapur për të bashkëpunuar me të gjithë të zgjedhurit vendorë, pavarësisht nën siglën e cilës parti janë zgjedhur.
 

“Dëgjimi i zërit të qytetarëve dhe pjesëmarrja e tyre në vendimarrje ka qenë një angazhim që në fushatën elektorale dhe kjo jo thjesht dhe vetëm për të tërhequr votues, por sepse unë besoj fuqimisht se në këtë mënyrë projektet dhe vendimet tona do të jenë ato të duhurat për qytetarët dhe do të mundësojnë arritjen e objektivit tonë” u shpreh Basha.

Presidenti i Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës Keith Ëhitmore e ka uruar zotin Basha për zgjedhjen në krye të Shoqates së Bashkive si dhe e ka siguruar për bashkëpunim.

“Në emër të gjithë anëtarëve të kësaj Byroje më lejoni tu uroj për zgjedhjen tuaj në krye të Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë. Kjo na kënaq vërtet sepse ne kemi punuar ngushtë me Shoqatën Shqiptare të Bashkive dhe ne e shohim këtë lidership si siguri për bashkëpunim të mëtejshëm, ndaj më lejoni tu uroj sërish”u shpreh ai.

Kjo është ndër të paktat herë që një mbledhje e Kongresit Europian të Autoriteteve Lokale e Rajonale zhvillohet jashtë Strasburgut. Takimi u mbajt në kuadër të presidencës së KiE nga Shqipëria.
 

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›