Pavaresia e Shqiperise, festohet dhe ne Rusi
TIRANE- Një koncert gala i solistëve të baletit rus prek skenën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit në datën 11 shtator 2011. Koncerti paraprihet nga një konferencë për mediat që mbahet sot paradite në hollin e Teatrit Kombëtar, ku do të marrin pjesë përfaqësues nga ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, përfaqësues të Ambasadës Ruse në Tiranë, Teatrit të operës dhe trupës pjesëmarrëse. Të pranishmit do të flasin mbi atë çka njoftimi për shtyp e konsideron "ngjarje e madhe artistike". Koncerti zhvillohet në kuadër të veprimtarive të "Ditëve të Kulturës Shpirtërore Ruse" që do të mbahen gjatë muajit shtator 2011 në Tiranë, Durrës dhe Shkodër. Ditët do të mbyllen me shfaqjen e filmit modern rus në Tiranë, në kinemanë e hotel "Sheraton", bazuar në protokollin e bashkëpunimit nënshkruar midis dy ministrive homologe të kulturës në muajin mars 2011. Bazuar në këtë protokoll, gjatë vitit 2012, i cili përkon dhe me 100-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së shtetit shqiptar, do të zhvillohen në Rusi "Ditët e Kulturës shpirtërore shqiptare".
(s.g/GSH/BalkanWeb)
(s.g/GSH/BalkanWeb)