Tej kuriozitetit të sëmurë
TIRANE - Tej kuriozitetit të sëmurë mbarëplanetar që ngjall shikimi i skeleteve në dollapin e diplomacisë amerikane, në Shqipëri, ky ishte një rast edhe për të parë nëse ishte i shtrembër pushteti apo pasqyra në të cilën shikohej ai, pra shtypi shqiptar. Për kënaqësinë e madhe të profesionistëve të shtypit, rezultoi se në pak vlerësime kishin gabuar, dhe ca më shumë, kishin qenë diagnostikues të saktë të plagëve të shoqërisë dhe qeverisjes shqiptare.
Pas këtyre erdhi edhe reagimi i kryetarit të qeverisë shqiptare, personazh, të cilit edhe i kushtohej një pjesë e konsiderueshme e kabllogrameve. Por, para se të analizohet shprehja e tij, se “nuk janë tjetër veçse pasqyrë e shtypit”, le të themi dy fjalë për procedurën e funksionimit të një përfaqësie diplomatike.
Me hapjen e shoqërive, sidomos në gjysmëshekullin e fundit, një burim i madh për të marrë informacion, përfaqësitë diplomatike të akredituara në një vend të caktuar, kanë edhe shtypin. Në njëfarë mënyre, gazetarët janë informatorë pa pagesë të diplomatëve. Por shpesh, nëpërmjet shtypit, forcat politike të një vendi apo qeveria e tij, nëpërmjet gazetave apo gazetarëve të afërt me ta shpreh qëndrimet të cilat nuk mund t’i thotë haptazi, ndaj janë edhe një mjet i shkëmbimit të mesazheve diplomatike në kanale jozyrtare. Çdo ambasadë serioze ka një diplomat të caktuar që bën pasqyrën e shtypit vendas, ku materialet më të rëndësishme ia përcjell qendrës. Ndërsa ministria ka një drejtori të tërë, që bën pasqyrën e shtypit vendas dhe atij të huaj. Fatkeqësisht, në Shqipëri mbas vitit 2010 kjo praktikë është hequr, për shkak të injorancës profesionale të drejtuesve të kësaj drejtorie, por siç ka thënë Spinoza, “Injoranca nuk është argument”, rrjedhimisht, nëse nuk e bën pasqyrën ministria shqiptare, kjo nuk do të thotë se nuk duhet, apo ca më keq, duhet përbuzur.
Duke iu kthyer shpjegimit të manualit, pas kësaj procedure, ambasadori, informacionin e marrë nga shtypi e krahason edhe me burime të tjera në dispozicion, siç janë burimet e inteligjencës, apo kontaktet politike private të tijat apo të vartësve, dhe pasi e kalon informacionin në këto filtra, ia përcjell qendrës. Në qendër, apo siç njihet në publik Ministria e Jashtme, është specialisti, i cili e shqyrton rishtas, dhe pastaj e skedon, apo njofton sektorë të tjerë të interesuar të shtetit. Materiale të rëndësishme i kalohen sektorit të analizë-prognozës. Kuptohet që në një përfaqësi të një shteti të madh, si ajo e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, resurset janë proporcionalisht të mëdha, krahasuar me ato të një fuqie të vogël, dhe po ashtu filtrat nëpër të cilat kalon informacioni lënë shumë pak marzh gabimi, por edhe të influencës së mendimit personal të titullarit. Aq më shumë, në rastin e zotit Withers, i cili ishte një diplomat karriere, mendimi personal, pavarësisht nëse i kishte inat apo qejf qeveritarët e Tiranës, nuk ka ndikuar shumë në brendinë e informacionit që niste, pasi asnjë nga këta faktorë, nuk mund ta lejonte që ta fuste në qorrsokak politikën e vendit të tij. Gjithashtu, një fuqi e madhe si SHBA, i verifikon informacionet nga më shumë se dy burime, ndaj edhe nëse z. Withers, do kishte vendosur të bënte një luftë personale me Berishën, duke përdorur resurset që i jepte posti, Departamenti i Shtetit, do vihej në dijeni dhe Withers, do ishte thirrur në atdhe për të dhënë shpjegime. Krahas kësaj, të gjithë kujtojmë letrën që Lulzim Basha, në atë kohë ministër i jashtëm, i nisi Departamentit të Shtetit, duke dëshmuar injorancën profesionale të tijën dhe të shefit të vet.
Parë me syrin e ftohtë, brendia e kabllogrameve, në rastin e Shqipërisë, nuk qëndron në informacionin që ato mbartin, pasi dihet që abuzimet financiare, nuk është se nuk kishin ndodhur, por vetëm se nuk ishin dënuar; nuk ishte e vështirë të kuptohej se Fatmir Mediu, ishte një kaqol në duart e Berishës; prokuroria e ka zinxhirin e lidhur shkurt, ndërsa gjyqësori, është me dhëmbë të shkulur; si dhe fakte të tjera me radhë ku përfshiheshin rendi, ushtria, dhe sektorë të tjerë të jetës shqiptare. E veçanta e këtyre kabllogrameve, është se realiteti shqiptar, në sytë e amerikanëve, ndryshe nga sa mundohet ta shesë qeverisja aktuale, është ai i një shoqërie klanore dhe paramoderne, ku vendi është i mpirë në morsën e qendrave të pushtetit me psikologji tribale, ku asnjëri nuk ngjall shpresë. Këto kabllograme, ishin edhe një fakt se si politika e jashtme amerikane, nuk synon imponimin e këndvështrimit apo preferencave të saj, por është një ndërlidhëse midis dy popujve, dhe vëzhguese e vëmendshme e jetës së vendit ku është akredituar, me synim ndryshimin nëpërmjet këshillimit dhe jo ndërhyrjes traumatike, që shumë persona mendojnë se është karakteristikë e saj.
Parë nga Washingtoni, botimi i kabllogrameve, ishte një telash i tepërt në problemet edhe kështu të mëdha që kanë Shtetet e Bashkuara, por për vende si Shqipëria, me edukatë dhe institucione ende të pastabilizuara, ishte një katarsis.
Reagimi idiot i ministrave të qeverisë Berisha, dhe prononcimi i titullarit të kësaj qeverie, ishte krejtësisht jo profesional. Etiketimi i tyre si “Pasqyrë Shtypi”, tregoi në radhë të parë alergjinë që ka ndaj shtypit Berisha, pasi kanotacioni i frazës ishte ironik. Ambasadorët e Shteteve të Bashkuara, nuk janë si kaçakët e Berishës të emëruar nëpër përfaqësi si diplomatë apo ambasadorë, të cilët meritë të tyre kanë ulëritjen nëpër mitingje, apo qenien pjesëtarë të fiseve pushtetmbajtëse. Diplomatët amerikanë, janë profesionistë që e dinë si funksionon politika, dhe kanë respekt për shtypin si pushtet i katërt. Tentativa e tij për të cilësuar tërthorazi ambasadorin Withers si një punonjës shtypi, është një përpjekje e dështuar për shaka e një njeriu që nuk i ka lezet humori. Withers, ishte një përfaqësues dinjitoz i shtetit të tij, që shpaloste vlerat e kombit që i përkiste.
Cilësimi pezhorativ nga Berisha i kabllogrameve, tregoi se nuk ja ka haberin procedurave të punës, të një mekanizmi siç është diplomacia. Parë në vështrim më të gjerë, tregon konceptin që ka për politikën e jashtme, të cilën historikisht e ka trajtuar si pazar personal, dhe jo si pjesë të strategjisë shtetërore. Nëse do kishte koncepte moderne për shtetin, diplomatët e tij nuk do quheshin me sarkazëm “ëmbëlsirë” nga homologët e tyre grekë, dhe Marrëveshja Detare nuk do ishte një pazar i vockël personal i tij për mbështetjen nga Greqia. Kabllogramet e Wikileaks mund të kenë qenë një dëm për politikën amerikane, por pa dyshim, ishin një ndihmesë për vende si Shqipëria, ku lexuan me dhimbje se nga kush qeverisen, dhe rikonfirmuan se miqësia amerikane është një miqësi pa kushte dhe preferenca partiake.
(GSH/ BalkanWeb)