E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dënohet Ferati

Muhedin Feratit i ka kushtuar gabimi që bëri në ndeshjen Hysi-Besa, kur dha penallti të paqenë për bardhezinjtë. Gjyqtari më i përfolur i kohëve të fundit në futbollin kosovar është dënuar me 5 ndeshje mosreferim nga Komisioni profesionist i gjyqtarëve të Kosovës, i cili e notoi me notë të dobët. Dënimit nuk i ka shpëtuar as kontrollori Vehbi Ibrahimi, që u dënua me tri ndeshje moskryerje të funksionit, pasi e kishte notuar istogasin me notën 4. Nga Moral Pozhegu më 02 qershor 2011 në ora 13:48

Gjyqtari më i përfolur i kohëve të fundit në futbollin kosovar, Muhedin Ferati e ka pësuar rëndë gabimin e bërë në ndeshjen Hysi-Besa, e cila mund ta vendosë edhe titullin e kampionit të Kosovës.

Komisioni profesionist i gjyqtarëve të Kosovës, në mbledhjen e mbajtur të mërkurën, ka vendosur që ta dënojë me 5 ndeshje mos referim gjyqtarin nga Istogu, i cili po akuzohet nga disa klube se po e ndihmon skuadrën e Hysit të shpallet kampion.

Pak më mirë ka shpëtuar kontrollori Vehbi Ibrahimi, i cili u dënua me tre ndeshje moskryerje të funksionit të tij, pasi Feratit ia kishte dhënë notën 4, pas kryendeshjes së xhiros së 31-të të Raiffeisen Superligës.

“Komisioni vendosi që t’ia zbresë notën Feratit, nga 4 në të dobët (1). Ky vendim ka ardhur si rezultat i xhirimeve televizive ku shihet se lojtari i Hysit e ka inskenuar penalltinë e paqenë. Kështu, Ferati nuk ka të drejtë të referojë 5 xhiro, 2 këtë sezon dhe 3 në të ardhshmin. Kurse, kontrollori, i cili u arsyetua se nuk e ka parë mirë rastin e penalltisë, për notim të pasaktë pezullohet me tri ndeshje”, ka thënë për Express, kryetari i Komisionit profesionist i gjyqtarëve të Kosovës, Ruzhdi Breznica.

Në anën tjetër, i kontaktuar nga gazeta Express, gjyqtari istogas nuk ka dashur të komentojë rreth këtij vendimi. Ai thotë se nuk do të flasë derisa ta marrë edhe zyrtarisht këtë vendim.

Por, ditë më parë, Ferati në një intervistë për Express tha se ndihet i pastër, përkundër kontestimeve që arrinin nga disa klube të Superligën, të cilat e akuzonin atë direkt se po e ndihmon Hysin që të bëhet kampion.

Gjyqtari kosovar ishte kontestuar edhe nga skuadra pejane, pasi dha penallti në dobi të Hysit, kur Mentor Zhdrella u rrëzua në zonë të rreptësisë pa e prekur askush. Këtë ndeshje e fitoi skuadra llapjane 1:0, por më i përfoluri mbeti vetë Muhedin Ferati.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›